Besa, gati dy qendërmbrojtës/ Prapavija fut në siklet trajnerin, Kashami: Skuadra është 80% e kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2021 | 14:40

Besa, gati dy qendërmbrojtës/ Prapavija fut në siklet trajnerin, Kashami: Skuadra është 80% e kompletuar

Pasi shtuan fuqinë e golave, te Besa përqendrohen për të kompletuar mbrojtjen. Sulmi është blinduar tashmë. Me afrimin e Edmond Hoxhës dhe Mikel Cankës (i cili dje pasdite ka dalë zyrtarisht në stërvitje, duke shuar çdo lloj dileme për këtë marrëveshje), kavajasit bëhen të frikshëm në vijën e parë. Nuk duhet harruar se për këtë repart llogaritet edhe Kaina Nunjes, i cili më 15 korrik vjen në Kavajë.

tomori-besa

Ndriçim Kashami nuk do të ketë më dhimbje koke për ofensivën, pasi do të ketë luksin e zgjedhjes. Të njëjtën qetësi nuk e ka ende për mbrojtjen, ndonëse kanë marrë Nertil Hoxhajn për krahun e majtë. Trajneri po vuan për qendrën, aq sa në miqësoren e vetme që kanë zhvilluar, është detyruar që të tërheqë Muçajn pas.

I vetmi lojtar tipik për këtë rol është Kukaj, por për të tentuar elitën, duhet shumë më shumë se kaq. Numri një i pankinës së verdhezinjve e thotë troç se duhen të paktën dy afrime për prapavijën, megjithatë nuk pezmatohet. Presidenti Nexhat Bizhdili po negocion me lojtarë elite dhe deri javën tjetër mund të vijë edhe akordi. Ai shprehet optimist për merkaton e bërë deri më tani, ndërsa evidenton se 80% e skuadrës tashmë është formatuar.

“Çdo ekip do të dëshironte të kishte në sulm golashënues si Mikel Canka, Edmond Hoxha e Kaina Nunjes. Është sëmundje e ekipeve tona shpërdorimi i pafund i rasteve. Kur ke në dispozicion jo 1, por 3 të tillë, kuptohet se ndihesh komod… Sot (dje) ekipit iu bashkua Canka në stërvitje, çfarë ma lehtëson punën, pavarësisht se kemi ende kohë. Me presidentin jemi ulur disa herë dhe ia kam bërë të qarta nevojat, që sipas meje ekipi ka.

kashami

Deri sot m’i ka plotësuar dhe jam në pritje edhe të përforcimeve në qendër të mbrojtjes ku kemi vetëm Kukajn dhe kemi kthyer në disa takime Muçajn, në mungesë të një qendërmbrojtësi. Bizhdili më ka premtuar se brenda javës që vjen, të mërkurën madje, do të vijnë 2 qendërmbrojtës me përvojë në Kategorinë Superiore.

Me afrimin e tyre, besoj se ekipi kompletohet për të realizuar objektivin që kemi. Nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të harmonizojmë grupin e të përgatitemi fort fizikisht e taktikisht për të nisur mbarë sezonin”, përfundon Kashami, duke komentuar merkaton e deritanishme.

FERIZ FERZIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"