Besa, “fobi” nga goditjet e këndit. Kanë pësuar plot 5 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 20:32

Besa, “fobi” nga goditjet e këndit. Kanë pësuar plot 5 gola

Përtej humbjes me Lushnjën, te Besa u rishfaq i njëjti problem në lojën e saj, lufta në ajër në zonën e rreptësisë.

Besa

Mjaft domethënës është fakti se të pestë golat e pësuar nga Besa në tri javët e para të kampionatit kanë ardhur nga goditje këndore. Dhe të mendosh që gjatë mërkatos së verës janë afruar dy qendërmbrojtës me shumë përvojë, si Oriad Beqiri dhe Erjon Xhafa.

Ka diçka që nuk shkon te qendra e mbrojtjes apo i gjithë reparti i prapavijës. Të dy golat e pësuar në Orikum erdhën nga goditja e këndit dhe një goditje standarde. E njëjta panoramë edhe ndaj Lushnjës, ku të 3 golat erdhën pas goditjeve nga këndi. Humbjen ndaj Lushnjës më shumë u duk sikur e përgatiti vetë Besa. Kavajasit udhëhoqën për 87 minuta dhe në fund, për çudi, u stepën të gjithë në prapavijë e dolën pa pikë. Ajo tërheqje, duke i lënë terren të lirë Lushnjës deri në 30 metrat e fundit, ishte e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme.

E gjithë prapavija la për të dëshiruar, ku Endri Magani bëri çfarë deshi përballë Shimës, duke krosuar mbi 12 herë në zonë. Fatjon Sefa fitoi thuajse çdo duel ajror me mbrojtjen e Besës. E njëjta situatë edhe pas ndërrimit të Perjes, ku Krasniqi nuk bindi për minutat që luajti. Në këtë mënyrë, verdhezinjtë dështojnë në repartin që konsiderohej siguria e Besës në këtë kampionat. Jo më mirë ishte mesfusha, ku aktualisht skuadra është pa organizator, pa “trurin” e saj.

Largimi i Meglid Mihanit ka lënë një “gropë” të madhe në mesfushë. E pasigurt duket edhe porta, ku Çali, pa përvojën e duhur, nuk arrin të zëvendësojë një “gardian” si Miraka. Trajneri Gugash Magani do të deklaronte pas takimit se mban edhe ai përgjegjësitë e tij për ndërrimet, ku lojtarët që hynë në fushë nuk e justifikuan veten. Të habit edhe fakti se Onuh vazhdon të shpërdorojë nga ndeshja në ndeshje si pa të keq. Kur ekzekutohen goditjet e dënimit nga kundërshtari, edhe pse është shtatlartë, ai kurrë nuk kthehet në zonë. Është luajtur vetëm java e tretë dhe ndeshje ka mjaft, por presidenca dhe stafi duhet të vënë pikat mbi “i” sa nuk është vonë. Kjo Besë e 3 javëve të para ka treguar se është larg të qenit pretendente për Superioren.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"