Besa do transformohet, Bizhdili: Kam mbyllur bisedimet me 7 futbollistë! Derisa zgjodha Maganin, prisni një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2022 | 22:38

Besa do transformohet, Bizhdili: Kam mbyllur bisedimet me 7 futbollistë! Derisa zgjodha Maganin, prisni një…

Nexhat Bizhdili i ka idetë të qarta për sezonin 2022-2023. E megjithatë, presidenti ka vendosur që të ndryshojë strategji. Nuk ka më në plan të reklamojë çdo lëvizje që do të bëjë në merkato. Përkundrazi, ka vendosur që të punojë totalisht në heshtje për ndërtimin e ekipit.

bizhdili magani

Pas emërimit të Gugash Maganit, tifozët prisnin të mësonin emrat e parë që do të afrohen. Kjo nuk ka ndodhur dhe as nuk ndodh për pak kohë. Pas këmbënguljes për të mësuar se pse nuk bëhen publikë emrat e parë të merkatos, numri një i klubit preferon të mos bëjë asgjë publike.

E megjithatë, për “Panorama Sport” një paralajmërim e jep. Ai deklaron se ka rënë dakord me 7 futbollistë, por pa mbyllur zyrtarisht marrëveshjet, nuk do të thotë më shumë. “Mesazhin e parë jua dhashë, duke rikthyer në stol Gugash Maganin. Ai nuk preferon të udhëheqë një ekip pa ambicie dhe kaq mjafton që të kuptoni se çfarë plani kam unë për sezonin e ri. Po ndryshe nga vitet e tjera, diçka ka ndryshuar tek unë. Nëse deri verën e shkuar keni mësuar herët emrat që planifikojmë në merkato, tani e tutje preferoj që të mos them asgjë. Bisedimet me lojtarët do t’i mbaj sa më larg syve të medias.

Po ju informoj për saktësi se deri më sot kam biseduar e rënë dakord me 7 futbollistë cilësorë. Por përderisa nuk kam firmosur kontratat, kam gjykuar të mos i bëj publike”, u shpreh fillimisht numri një i klubit. Besa do të transformohet.

Duke parë që gara është ashpërsuar me rënien e Dinamos e Skënderbeut apo edhe Flamurtarin që ngjitet nga e Dyta, kavajasit do të rindërtohen. Skuadra nuk do t’i ngjajë fare asaj që mbylli kampionatin e fundit dhe me vështirësi siguroi mbijetesën. “Për një gjë ju siguroj, do të rindërtoj nga e para. Do jetë Besa që ju kam premtuar. Meqenëse ju po këmbëngulni shumë, atëherë emrat e parë do t’i zbuloj javën e ardhshme kur edhe do të nisë firmosja e kontratave”, e ka mbyllur Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"