Besa/ Bizhdili premtoi blerje, Magani: Me këtë grup nuk garantohet ngjitja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2019 | 17:40

Besa/ Bizhdili premtoi blerje, Magani: Me këtë grup nuk garantohet ngjitja

Pritej që javën e shkuar të vinin tre futbollistët e premtuar nga Nexhat Bizhdili, por vetëm njëri ka ardhur. Bëhet fjalë për mesfushorin e huazuar nga Kukësi, Armend Çajani. Besa ka zhvilluar disa miqësore dhe përtej lojës apo rasteve, mungesa e lojtarëve me përvojë ka sjellë vetëm humbje.

bizhdili magani

Kjo ka shqetësuar jo pak trajnerin Gugash Magani. Objektivi e verdhezinjve mbetet Superiorja, por për “Panorama Sport” numri një i stolit e thotë hapur se me këtë grup nuk mund të garantohet. “Kam zhvilluar disa miqësore rresht me dy synime. Për të parë gjendjen dhe forcën e grupit, si edhe për ta harmonizuar atë. Deri më sot, siç e dini kanë ardhur vetëm Zefi e Xhafaj si lojtarë përvoje dhe me të rinjtë nuk kemi mundur të përballojmë presionin e një ndeshjeje.

Vërtet kam deklaruar se kam mbetur i kënaqur, sidomos nga loja në 2 ndeshje, por kjo nuk mjafton për të garantuar suksesin dhe objektivin për t’u ngjitur në elitë. Lojtarët shumica janë të rinj dhe nuk mjafton vetëm dëshira, ambicia, talenti i tyre për të dalë fitues në një ndeshje, qoftë dhe miqësore. Objektivi ynë kërkon fitore thuajse në çdo sfidë dhe mund të lejohet ndonjë hap fals, jo më shumë”, tha fillimisht tekniku.

gugash magani

Nëse Besa vërtet synon Superioren, duhet të nxitojë. “Kemi biseduar shpesh me presidentin dhe kam pritur që javën e shkuar 3 afrime cilësore. Mesa duket, 2 nga këta lojtarë nuk u morën dot, ndërsa dje erdhi vetëm Armend Çajani. Miqësoret më bindën për nevojën e madhe që ekipi ka për lojtarë me përvojë. Me Zefin, Xhafën apo Perjen e Çelhakën nuk mund të mbushet boshllëku i përvojës në disa reparte. Vërtet do bëjmë ingranimin e rinisë me përvojën, por në ndeshje decizive vetëm eksperienca bën diferencën. Ekipi ka nevojë urgjente për futbollistë në çdo repart. Koha kalon dhe sa më shumë të vonohen prurjet, aq më vështirë do jetë përfshirja dhe përshtatja e tyre me grupin. Kjo për synimet që ka Besa, sepse e përsëris, nuk na lejohen hapa fals që në fillim dhe se përballë kemi ekipe të mirorganizuara e të investuara. Në asnjë fushë nuk fitohet më si dikur, madje as në shtëpi. Duhet të djersish shumë për të marrë pikët”, përfundoi peqinasi i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"