Besa bie në Peqin, e gjykon ish-kapiteni Mihani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 17:42

Besa bie në Peqin, e gjykon ish-kapiteni Mihani

Shkumbini dhe Besa kanë shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të zhvilluar një miqësore.

besa1

Pas 90 minutave, vendësit e kanë parë veten në avantazh 2-1. Takimi u gjykua nga Meglid Mihani (një nga zv.trajnerët e Besës). Arbitrat nuk erdhën dhe për pasojë ndeshja nisi në 14:15 (dhe jo në 14:00).

Të vendosur para kësaj situate, klubet me konsensus zgjodhën ish-lojtarin si “bilbil” për këtë duel. Pjesa e parë ka qenë më emocionuese jo vetëm për golat e realizuar, por edhe për ritmin dhe rastet e krijuara. Të dy teknikët kanë pasur nga dy mungesa në formacionin e titullarëve, por megjithatë niveli ishte i kënaqshëm.

Peqinasit shohin të parët drejt portës së Besës dhe Mustafaji në të 16-ën është penguar në zonë dhe për pasojë fiton një 11-metërsh, të kthyer në gol prej kapitenit Ramazani. Peqinasit marrin zemër dhe vetëm 7 minuta më pas, gjejnë të dytin me autor Sadikun, që nuk fal brenda zonës së miqve.

Trajneri Magani “shkund” skuadrën e tij dhe miqtë arrijnë të ngushtojnë diferencën me Carën. Pas golave të realizuar, të dyja ekipet kanë pasur edhe nga një rast për shënim, por portieri Ajazi dhe Çali kanë qenë të saktë me ndërhyrjet e tyre. Në fraksionin e dytë, të dy teknikët u dhanë shumë hapësira lojtarëve të stolit. Për miqtë ra në sy paraqitja e mirë e afrikanit Onuh, i cili luan si titullar me kavajasit. Në pjesën e dytë ritmi i lojës nuk ra, por nuk u regjistruan raste të pastra për gol. Besa tentoi dy herë nga goditjet e dënimit për të barazuar shifrat, por rezultati i takimit nuk ndryshoi.

MAGANI – Edhe pse u shfaq kritik në dhomat e zhveshjes, trajneri për gazetën u shpreh se këto teste shërbejnë për të nxjerrë mësime.

“E nisëm lojën kryesisht me lojtarët që nuk kanë minuta në këmbë. Në 45 minutat e dyta alternova edhe lojtarë të formacionit. Qëllimi ishte përmirësimi sa më shumë i gabimeve dhe në tërësi jam i kënaqur nga ndeshja. Rezultati ishte i fundit për mua, pasi siç e thashë kisha të tjera synime në këtë miqësore”, tha trajneri i Besës.

Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"