Besa bëhet e frikshme, merr një portugez për sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2020 | 18:56

Besa bëhet e frikshme, merr një portugez për sulmin

Pas Alsid Tafilit dhe disa emrave të tjerë që janë afruar më parë, Besa ka bërë një tjetër goditje të rëndësishme në merkato. Kavajasit kanë arritur marrëveshjen me portugezin Roxherio Miguel Reis Silva, i cili vjen nga qipriotët e Olimpiakos Nikosias.

Besa

Bëhet fjalë për një 23-vjeçar që luan si sulmues krahu, kryesisht në të majtë. Ai ka qenë pjesë e disa ekipeve në Portugali, e ka nisur me të rinjtë e Portos, por më pas është aktivizuar në kategoritë inferiore në vendin e tij, për të kaluar në Qipro në vitin 2018.

Roxherio Miguel Reis Silva

Tani ka vendosur të veshë fanellën e Besës në Kategorinë e Parë në Shqipëri, ndoshta me synimin për të pasur më shumë hapësirë, pasi sezonin e fundit është aktivizuar vetëm në 9 ndeshje. Për Besën mund të jetë një element i vlefshëm, por të dhënat e Reis Silvas nuk është se janë fort impresionuese. Në gjithë karrierën e tij ai ka shënuar 4 gola, një shifër shumë e ulët kjo për një sulmues.

Besa Portugezi

Gjithsesi, ai mund të shpërthejë me kavajasit sezonin e ri. Trajneri Ndriçim Kashami, me afrimin e portugezit Reis Silva kompleton sulmin, ku më parë ka ardhur edhe braziliani Nunjes Kaina, por edhe Jurgen Peqini. Në mesfushë janë afruar Aristotel Koleci dhe dy “ekspertë” si Jetmir Sefa dhe Alsid Tafili, të cilët kanë një përvojë të gjatë me ekipe të Superiores.

Në mbrojtje është afruar Igli Moqi dhe në portë Klajdi Kuka. Afrime në çdo repart, megjithatë presidenti Nexhat Bizhdili është duke punuar ende për të afruar edhe ndonjë element tjetër cilësor, që do ta bënte Besën një pretendente serioze për ngjitjen në Superiore, ku mungon prej disa sezonesh.

Ndoshta për mbrojtjen pritet ndonjë afrim tjetër me peshë. Gjatë kësaj periudhe verdhezinjtë kanë zhvilluar dy miqësore me Erzenin dhe Lushnjën, ku kanë barazuar 1-1, por trajneri Kashami ka qenë përgjithësisht i kënaqur me nivelin e skuadrës që drejton. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime këtë verë, ku nga grupi i sezonit të fundit janë të paktë ata që kanë qëndruar dhe bëhet fjalë kryesisht për lojtarë të rinj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"