Bernardo Silva te Barça dhe Verati te Siti, rebeli i katalanasve mund të shkaktojë një efekt domino në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 13:39

Bernardo Silva te Barça dhe Verati te Siti, rebeli i katalanasve mund të shkaktojë një efekt domino në merkato

 

Në Barcelonë nuk ka më sekrete, klubi katalanas dhe mesfushori holandez Frenki de Jong janë në një luftë të hapur mes tyre. Sipas mediave spanjolle, vetë mesfushori dhe enturazhi i tij nuk e kanë pritur aspak mirë kërcënimin e Barcelonës për ta çuar në prokurori kontratën e tij me klubin.

13

Barcelona pretendon se rinovimi i tij në vitin 2020 ishte i jashtëligjshëm, sikurse dhe rinovimi i Buskets, Pike e Ter Shtegen mes të tjerëve.

Por ndërsa me të tjerët Barcelona e ka gjetur gjuhën e përbashkët, me De Jongun palët janë shumë larg një marrëveshjeje.

Gazeta spanjolle “Sport” ka bërë me dije se De Jong ka refuzuar largimin nga klubi dhe për më shumë ka refuzuar dhe uljen e pagës së tij në masën 40%. Kjo lëvizje e holandezit e ka vënë në vështirësi klubin, që po kërkon likuiditete për të federuar lojtarët e afruar në merkato.

Por pavarësisht situatës problematike të shkaktuar prej federimeve, Barcelona nuk ka ndër mend të ndalet në merkato. Katalanasit po përgatisin dhe dy blerjet e radhës, Markos Alonso dhe Bernardo Silva. Qershia mbi tortë natyrisht që është mesfushori i Mançester Sitit.

Trajneri Ksavi e kërkon me ngulm yllin portugez të Sitit dhe klubi është gati të bëjë çmendurinë e radhës. Për të bërë realitet këtë lëvizje, Barcelona po mendon të nxjerrë në shitje edhe 24.5% të paketës së aksioneve të “Barça Estudios” për një vlerë prej 100 milionë eurosh.

Këtë shumë, klubi katalanas do ta përdorte për të paguar afrimin e mundshëm të Bernardo Silvës.

Në “Camp Nou” besojnë se operacioni për të sjellë Bernardo Silvën në Barcelonë do të kushtonte 50-60 milionë euro, pavarësisht kërkesave të Sitit që arrijnë në 80-90 milionë euro.

Një lëvizje e tillë e Barcelonës do të sillte një efekt domino në mesfushën e disa klubeve të rëndësishme në Europë. Të paktën kështu ka bërë me dije gazetari Gerard Romero në ”Jijantes”.

Sipas tij, mes përfaqësuesve të futbollistëve është përhapur një thashethem që do të konsistonte në një lëvizje të trefishtë: Bernardo Silva do të linte Mançester Sitin për t’iu bashkuar Barcelonës.

Në këmbim të tij, “Qytetarët” do të afrojnë Verratin nga Paris SG-ja. Rrethi do të plotësohej nga Frenki de Jong, i cili do t’u bashkohej radhëve të Paris SG-së për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga largimi i italianit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"