Berishës dhe Strakoshës i duhet një mrekulli, Lacio pret “dhuratë” nga Selltiku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 14:29

Berishës dhe Strakoshës i duhet një mrekulli, Lacio pret “dhuratë” nga Selltiku

Fitorja ndaj Juventusit dhe vendi i tretë në Serinë A janë një shtysë më tepër. Lacio nuk mund të kënaqet me kaq dhe sot në orën 18:55 do të kërkojë mrekullinë në Ligën e Europës. Skuadrës së Simone Inzagit i duhet një fitore në shtëpinë e Renit, teksa lajmet e mira duhet të vijnë nga Rumania ku shpresohet në një fitore të Sëlltikut në transfertë ndaj Kluzhit. 

strakosha

Skenar i komplikuar, por jo i pamundur, aq më tepër që rumunët kanë grumbulluar pikë pa shkëlqyer në këtë edicion të kompeticionit të “vogël” europian. Duhen ende disa orë, por bardhekaltrit nuk kanë në plan të bëjnë “ulje” dhe do të kërkojnë që momentin e mirë në Serinë A ta pasqyrojnë edhe në Europë.

STRAKOSHA E BERISHA 

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, Simone Inzagi premtoi vlerësim maksimal ndaj sfidës së sotme, me Lacion që synon të vijojë rrugëtimin e tij përtej fazës në grupe. Trajneri do t’ia besojë përsëri portën Thomas Strakoshës, teksa edhe mesfusha do të ketë gjak shqiptar falë pranisë së Valon Berishës. Dyshja në fjalë është vetëm një pjesë e formacionit që do të zbresë sot në fushë, ku sulmi do t’i besohet formës së Çiro Imobiles dhe Kaisedos të mbështetur nga Luis Alberto. Më të mirët edhe në prapavijë me Açerbin dhe Filipe Luisin të ekzaltuar pas golit në fundjavë kundër Juventusit.

igli tare

BASTET E TARES 

Shkëlqimi i Lacios është meritë e punës së trajnerit, por edhe të një skuadre më shumë punëtore se sa të talentuar. Në cilësinë bardhekalër ndikim të madh ka pasur pa dyshim Igli Tare. Gjithçka nis nga porta, ku intuita e drejtuesit shqiptar mban emrin e Thomas Strakoshës. Debutues në vitin 2016, portieri është shndërruar në kolonën e prapavijës së kryeqytetasve.

lACIO

Gardiani u formua në shtëpi dhe për ca kohë luajti te Salernitana, teksa sot vlera mbi 30 milionë euro e bën një prej fenomeneve të merkatos bardhekaltër. Kaisedo, Korrea, Berisha, Saviç janë “municionet” e tjera të arsenalit të Lacios, i cili sot do të kërkojë kualifikimin për vete, por edhe bërthamën shqiptare në qendër të sukseseve të saj, të kulmuar pak muaj më parë me Kupën e Italisë, teksa pas një jave i pret edhe Superkupa e Italisë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"