Berisha: Ja pse zgjodha Anzhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2016 | 16:11

Berisha: Ja pse zgjodha Anzhin

Berisha-660x330Bernard Berisha është zyrtarisht lojtar i Anzhit. Ashtu sikundër bëri me dije “Panorama Sport” gjatë ditëve të fundit, ka ardhur edhe zyrtarizimi i këtij transferimi.

Me “divorcin” e pejanit, ky është edhe largimi i tretë nga Skënderbeu gjatë merkatos së dimrit, teksa më herët Olainka dhe Zhair (këtij të fundit i është zgjidhur kontrata). Kështu, prej ditës së djeshme, mesfushori mund të quhet lojtar i skuadrës ruse, edhe pse prezantimi do të bëhet në datën 15 janar, kur lojtari të dalë në stërvitje me ekipin e ri. Ai ndodhet në Kosovë momentalisht dhe i kontaktuar nga gazeta “Olle” ka dhënë një deklaratë rreth këtij transferimi.

Mesfushori rrëfen arsyen se përse zgjodhi Anzhin, si edhe detaje të tjera rreth ofertave të mëparshme. “Ishte oferta më zyrtare ajo e Anzhit, ndaj vendosëm. Patëm edhe shumë oferta të tjera, por mendoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur për shumë arsye. Tashmë nuk më mbetet tjetër gjë veçse t’i tregoj vlerat e mia në ekipin tim të ri. Kam pak informacion për Anzhin në fakt, e di se kanë luajtur lojtarë me emër si Samuel Eto. Do të jap më të mirën time, duke u paraqitur denjësisht dhe në fund t’i lë që të gjithë të kënaqur. Për sa u përket ofertave të tjera për të cilat është folur më parë, mund të them se nuk ka pasur diçka konkrete me këto klube. Kanë qenë vetëm bisedime. Në bashkëpunim me menaxherin dhe presidentin Ardian Takaj, kemi vendosur që të pranojmë ofertën e Anzhit, pasi shqyrtuam gjithçka”, është shprehur Bernard Berisha në lidhje me ekipin e ri dhe aventurën që do të fillojë në Rusi.

Transferimi i kosovarit tek Anzhi duket se ka lënë të kënaqur mesfushorin. Ai është shfaqur tejet i entuziazmuar nga përvoja që e pret, që zyrtarisht do të startojë në mesin e muajit janar. Ndryshimi për Berishën pritet të jetë realisht i madh, pasi pritet që tashmë të mos luajë më për objektivin titull, por për mbijetesë. Sikundër dihet, pozitat e Anzhit nuk janë komode, teksa renditet në vendin e parafundit në Superligë. Aktualisht, mesfushori është në pritje të vizës dhe më pas do t’u nënshtrohet testeve mjekësore. Pasi të kalojë gjithçka me sukses, do të vijë edhe firma mbi kontratë, e cila mendohet se është 2-vjeçare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"