Berisha, “hero” i Atalantës: Donim 3 pikët, na ndali vetëm Handanoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2018 | 9:24

Berisha, “hero” i Atalantës: Donim 3 pikët, na ndali vetëm Handanoviç

“Bëmë gjithçka për të marrë tri pikët, por nuk shkoi ashtu si donim. Handanoviç bëri disa pritje fantastike, ishte në një nga ditët e tij”. Etrit Berisha, në përfundim të Atalanta-Inter (0- 0), të luajtur dje, e ka komentuar kështu sfidën e barazuar ndaj milanezëve për mikrofonat e “Sky Sport”, në zonën mikse të stadiumit “Azzurri d’Italia”.

Berisha2

Një pikë nga e cila mund të buzëqeshë skuadra e gardianit shqiptar, e fituar pavarësisht mungesave të Petanjas e Spinacolës. “Në pjesën e dytë u lejuam më shumë hapësira dhe në fund përfundoi kështu. Çfarë na mungon në krahasim me një sezon më parë? Sot (dje) na mungoi pasimi i fundit, rastet tona i patëm.

Samiri ishte i shkëlqyer, priti gjithçka (modest Berisha, që bëri me “dhimbje koke” edhe një lojtar të kalibrit të Perisiçit me tri pritje nga tre raste të kroatit). Më pas një ndeshje varet edhe nga episodet, duhen shfrytëzuar në momentin e duhur, nuk kërkohet gjithçka në minutat e fundit.

E RADHËS, NDAJ BENEVENTOS

Portieri i Kombëtares, më pas ka vazhduar analizën e tij: “Kur kemi mundësi të avancojmë përpara në kundërsulm, prapa nuk duhet harruar që kemi hapësira për të mbuluar. Presingu? Është disi i ndërlikuar sepse disa topa shkojnë shumë prapa dhe vendosen mes meje dhe linjës së mbrojtësve, e mbi këtë koncept duhet të punojmë”.

Berisha

Pas një pike ndaj Interit, megjithatë me vlerë, Atalanta ndodhet tanimë në vendin e tetë, 1 pikë larg Fiorentinës së vendit të shtatë (e si rrjedhojë, zonës “Europa League”) dhe javën tjetër do përpiqet të rimëkëmbet ndaj Beneventos së vendit të fundit, ku luajnë dy shqiptarët e tjerë, Berat Gjimshiti e Ledjan Memushaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"