“Bëri sehir me Shkumbinin”, Gjyla akuzon Sindikatën: Lojtarët duhen mbrojtur nga dënimet absurde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2020 | 20:09

“Bëri sehir me Shkumbinin”, Gjyla akuzon Sindikatën: Lojtarët duhen mbrojtur nga dënimet absurde

Lushnjari Viktor Gjyla, një nga veteranët e kampionateve tona, ku ka veshur edhe fanellën e Partizanit, prezantohet sot tek Albpetroli. Mbrojtësi 37-vjeçar ishte pjesë e Shkumbinit këtë sezon, por me përjashtimin e peqinasve nga aktiviteti u detyrua ta kërkonte fatin diku tjetër dhe e gjeti në Patos. 

viktor-gjyla

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gjyla flet edhe për çështjen e mbrojtjes së futbollistëve në vend dhe këtu shigjeton Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë, të drejtuar nga Andi Lila, pasi nuk reagoi për Shkumbinin.

Viktor, pas dënimit të Shkumbinit ju mbetët pa skuadër. A e keni bërë zgjedhjen tuaj për vazhdimin e sezonit? 

Po, skuadra ime e re është Albpetroli dhe nesër (sot) do t’i bashkohem asaj në stërvitje. Kjo skuadër ka pretendime për Kategorinë e Parë dhe do t’i afroj të gjithë eksperiencën time për ta arritur këtë objektiv. Jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë dhe besoj shumë se Albpetroli sezonin e ardhshëm do të jetë në Kategorinë e Parë.

Si e pritët dënimin e Shkumbinit? 

Sinqerisht, jam ndierë shumë keq. Jam futbollist dhe detyra ime është ta bëj sa më mirë punën time, të zbatoj detyrat e trajnerit dhe të jap maksimumin në fushë për të arritur rezultatin. Nuk kuptoj si mund të dënohen 25 futbollistë. Disa luajnë, disa nuk luajnë, disa luajnë pjesërisht dhe dënohen të gjithë. Ku është faji i futbollistit kur problemet vijnë jashtë fushës së blertë?!

Si ishte situata e javëve të fundit te Shkumbini? 

Ishte një situatë sportive. Ne vinim nga një humbje në Burrel, ku gjykimi la shumë për të dëshiruar. Edhe me Dinamon gjykimi kishte probleme dhe jam kategorikisht kundër dhunës. Gjyqtarët dhe lojtarët duhen të kenë siguri absolute në fushë. Pas ndeshjes detyra ime është të shkoj në dhomat e zhveshjes, sepse loja ka përfunduar, janë të tjerët që merren me sigurinë e gjyqtarit. Shkumbini nuk duhej të përjashtohej nga kampionati dhe futbollistët duhet të vazhdonin garën.

Pse ky dënim sipas jush dhe çfarë duhej bërë?

Nuk ka pse të ketë dënim kolektiv. Mendoj se Sindikata e Futbollistëve Profesionistë që është krijuar duhej t’i mbronte të gjithë futbollistët e Shkumbinit dhe jo të bënte sehir, të rrinte duke parë si ata dalin në rrugë. Futbollisti duhet të dënohet për atë që bën dhe jo për atë që nuk bën. Nuk mund t’i hedhësh futbollistët në rrugë, kur ata nuk janë pjesë e incidenteve. Uroj që të gjithë futbollistët e Shkumbinit të kenë gjetur skuadër për të luajtur futboll deri në fund të sezonit.

Gjyla

Si ju duket ecuria e Lushnjës, skuadrës së qytetit tuaj? 

Kam besim se Lushnja javët e ardhshme del në vend të parë dhe e mbyll kampionatin në këtë vend. Afrimet e fundit në mbrojtje dhe në sulm e kanë përforcuar mendimin tim se Lushnja është skuadra më e mirë e grupit. Tani mendoj të bëj sa më mirë për Albpetrolin, por i gëzohem gjendjes së mirë që ka Lushnja, ish-skuadra ime.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"