Bëri dopietë për 10 minuta, rrëfehet sulmuesi Prenga: Erzeni kap kreun, mësoj shumë nga Raboshta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2022 | 23:25

Bëri dopietë për 10 minuta, rrëfehet sulmuesi Prenga: Erzeni kap kreun, mësoj shumë nga Raboshta

Fatmir Prenga erdhi si një “dhuratë” për Erzenin në merkaton e janarit. U transferua në formë huazimi nga Laçi dhe direkt fitoi vend në formacion. Deri më tani ka numëron 894 minuta nga 11 ndeshje. Ka cilësi të jashtëzakonshme në ofensivë dhe me golat e shënuar po i jep ndjeshëm “dorë” ekipit.

FATMIR PRENGA

Kundër Butrintit 20-vjeçari ishte protagonist i padiskutueshëm, me atë dopietë në harkun e 10 minutave. Ai megjithatë paralajmëron se nuk ka për ta mbyllur këtu. Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i krejt garës, laçiani premton se do ta gjejë sërish rrjetën. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, i riu tregon se nuk do të dorëzohen derisa të rimarrin komandën e Kategorisë së Parë.

“E mbyllëm që në 30 minutat ndeshjen me Butrintin. Dy golat e mi dhe ai i Ymerit sollën trepikëshin e kthesës, pas atij barazimi në Burrel. E kam gjetur 4 herë rrjetën me shijakasit, por mendoj se nuk do ta lë me kaq. Janë edhe 360 minuta për t’u luajtur dhe do angazhohem maksimalisht që të ndihmoj ekipin në realizimin e objektivave. E megjithatë, ajo sfidë kaloi dhe prej së hënës jemi përqendruar te java e 27-të.

Udhëtojmë në Lushnjë, atje ku na pret një transfertë vërtet delikate. Kampionati po shkon drejt fundit dhe tashmë nuk ka ekipe të vogla e të mëdha dhe as renditja nuk ka vlerë kur hyn në fushë, pasi çdokush luan për synimet e veta. Kundërshtari kërkon mbijetesën, ndërsa ne duam ngjiten.

Pse jo, edhe si kampionë… Nuk na mungon asgjë. Kemi një staf që punon më së miri, grup cilësor, etje të madhe për sukses dhe mbi të gjitha tifozë që na ndjekin dhe mbështesin kudo”, tha fillimisht 20-vjeçari i sulmit shijakas. Ai flet edhe për eksperiencën e tij gati 4-mujore në Shijak, ku nuk ngurron që të përmendë suportin e madh që i jep Jasmin Rabsohta në sulm.

“Tek Erzeni kam gjetur mbështetje të plotë nga të gjitha. Kjo më ka ndihmuar që të përshtatem direkt. Kam fatin që të kem në krah një sulmues si Raboshta, prej të cilit kam përfituar dhe mësuar shumë. Koordinohemi shumë mirë me njëri-tjetrin”, përfundon Prenga.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"