Berberi studion me imtësi Lushnjën: Janë ekip shumë i mirë, por do i mundim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 22:54

Berberi studion me imtësi Lushnjën: Janë ekip shumë i mirë, por do i mundim

Një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave në Kategorinë e Parë është Pogradeci-Lushnja. Liqenorët nuk mund të gabojnë dy herë radhazi dhe të dielën kanë mundësi të përmirësojnë pozitat pas humbjes në Fier, nëse mundin lushnjarët, ashtu siç bënë fazën e parë në “Roza Haxhiu”. Rivaliteti është i ashpër në Grupin B dhe tani llogaritë bëhen me laps në dorë. Pogradeci ka favorin e fushës dhe në radhët e skuadrës besimi është i madh për kthimin te fitorja.pogradeci

BERBERI – Gazeta mëson se liqenorët nuk kanë lënë moment pa e studiuar kundërshtarin. Trajneri Abazaj dhe të tijtë e kanë ndjekur Lushnjën në ndeshjen e Kupës, edhe pse ajo nuk luajti me ekipin titullar. Mesfushori Kevi Berberi gjykon se diferencën në ndeshjen e së dielës do ta bëjë reparti ku ai bën pjesë. “Çdo ndeshje, jo vetëm në këtë fazë, ka rëndësinë e vet, por tani nuk ka kohë për rikuperim dhe ndaj një rivali direkt nuk mund të gabosh. Situata është e tillë dhe e dimë përgjegjësinë tonë. Lushnja ka ekip cilësor, këtë nuk e mohojmë, por me bindje them se jemi më mirë në mesfushë dhe pikërisht këtu do ta bëjmë diferencën. Jo se repartet e tjera nuk janë në këtë lartësi, por kundërshtari nuk ka cilësitë e futbollistëve tanë. Pogradeci ka në mesfushë lojtarë si Liçkollari, Shkullaku, Jahaj dhe Shyti, të cilët vërtet do t’i kishin zili edhe ekipet e Superiores”, thekson Beberi.

GJENDJA – Pogradecarët do ta kenë më të plotë grupin për takimin e radhës. Shkullaku është stërvitur me grupin dhe me ngarkesë të plotë, ashtu si Liçkollari që është në formën e vet më të mirë, ndërsa Jahaj e ka kaluar gjendjen gripale. Në mungesë të Topllarit, trajneri Abazaj duket se do të aktivizojë Shytin në sulm, pasi ia shënoi dy gola ndaj Elbasanit.pogradeci

Përveç Topllarit, do të mungojë edhe Pura. “Do të mundohemi të përfitojmë nga çdo rezultat i ndeshjeve të tjera, por më parë duhet të bëjmë detyrën tonë, të fitojmë me Lushnjën. Jo gjithçka mbyllet në këtë ndeshje, por do ta kemi më të lehtë nëse fitojmë dhe për këtë askush nuk dyshon në grupin tonë”, shton më tej Berberi. Ndeshja me Lushnjën luhet ditën e diel dhe interesimi nga sportdashësit pogradecarë është mjaft i madh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"