Berberi: Ja arsyet e dopingut në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2014 | 20:30

Berberi: Ja arsyet e dopingut në Shqipëri

Romela (1)Specialisti i peshëng ritjes shqiptare, Ferid Berberi, tha se fenomeni i dopingut në vendin tonë në dekadën e fundit po bëhet shqetësues dhe se kostoja nuk do të jetë e vogël. Në pritje të kryerjes së testit B, më 16 dhjetor të peshëngritëses Romela Begaj, pas publikimit shokues nga Federata Botërore se sportistja ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut me substancën stanozolol, Berberi tha për “Panorama Sport” se stërvitja shkencore ka humbur dhe se problemi kryesor aktual mbetet disiplina. “Nëse do të rikthehemi mbrapa në vite, 2006- 2007 kam qenë unë që kam bërë oponencë të fortë me presidentin e federatës të asaj kohe Esat Ademin për afrimin e trajnerit bullgar. Aktualisht po vë re që stërvitja shkencore ka humbur. Nuk ka një zbatim korrekt të kritereve dhe parimeve në seancat stërvitore. Duhet disiplinë më e fortë sportive në përgatitjet e peshëngritësve, grumbullime më serioze e sistematike e brenda vendit dhe këto nën kontrollin e rreptë të mjekut sportiv. Realisht mjeku mungon. Jo vetëm kaq, por edhe kërkohet një ndërgjegjësim i të gjithëve, jo vetëm i sportistëve. Marrë shkas nga rasti i fundit me Romela Begajn, ku në të vërtetë duhet të presim përgjigjen e testit B, realisht më erdhi shumë keq dhe nuk kam menduar kurrë se do të ndodhte. Begaj është një sportiste me përgatitje të lartë fizike, çka vlen edhe për të tjerët ky si tregues. Kam dëgjuar që përpara Botërorit janë kryer tre kontrolle antidopingu, por lind pyetja se si”, tha fillimisht për gazetën ish-trajneri i kombëtares përpara viteve ’90. Ndërsa nga drejtuesit e federatës përfliten masat ekstreme për sportistët e përfshirë në doping, Berberi është kundër saj. “Nuk mundet të sillemi ndryshe me sportistët kur fitojnë dhe ndryshe kur përballemi me të tilla situata. S’më duket normale”. Mes të tjerash, Berberi vuri theksin se rastet e përsëritura me doping do të kenë kosto në imazhin e sportit në vendin tonë. Në fund, specialisti Berberi analizoi se shumë rezultate aktuale të peshëngritjes janë më të ulëta se ato të përpara viteve ’90.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"