Beratasit konfirmojnë trajnerin Sinella, titullarët e Tomorit “zbarkojnë” në bashki

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2021 | 15:14

Beratasit konfirmojnë trajnerin Sinella, titullarët e Tomorit “zbarkojnë” në bashki

Te Tomori e kanë ndarë mendjen: Bledar Sinella do të jetë trajner për sezonin 2021-2022. Ende nuk është hedhur firma mbi kontratë dhe prezantimi zyrtar mungon, e megjithatë kjo procedurë shihet si një formalitet.

Tomori

U bënë tri ditë që trajneri zhvillon takime intensive me kryebashkiakun dhe faktorë të tjerë drejtues në klub, ku po diskutojnë me detaje kushtet e kontratës dhe projektin për kampionatin që starton më 11 shtator. “Panorama Sport” mëson se kavajasi ka pasur vetëm një kërkesë, që stafin teknik ta zgjedhë vet. Gjasat janë se ajo do të plotësohet, megjithatë në vazhdim do të ketë zhvillime më konkrete edhe për këtë histori. Kujtojmë që vjet është diktuar prej zyrës e bashkisë, por këtë herë do të ndodhë krejt ndryshe.

“SAMITI” ME TITULLARËT

Pasi iu dha drejtim çështjes së stolit, në Berat kanë nisur seriozisht nga puna për riorganizimin e ekipit. Procesi është ndarë në disa faza, të cilat janë radhitur sipas rëndësisë. Ajo që bie në sy është fakti që vetë kryebashkiaku dhe presidenti Ervin Demo po e menaxhon të gjithë këtë proces. Ky i fundit ka zhvilluar dje një takim në zyrën e tij me disa nga titullarët e kampionatit të fundit, të cilët shihen si “boshti” i skuadrës së ardhshme. Ai u ka kërkuar të ashtuquajturve “senatorë” të parashtronin kërkesat e tyre financiare, që do të pasqyrohen edhe si një kusht në bashkëpunimin e mëtejshëm mes palëve. Sipas burimeve të gazetës, futbollistët kanë paraqitur ofertën e tyre financiare, që janë mbajtur shënim nga numri një i bashkisë. Ai u ka thënë se sot do të kthejë përgjigjen zyrtare, nëse do t’i pranojë ose jo kërkesat. Me dakordësinë mes palëve, pritet që menjëherë të vendoset edhe dita për të startuar punën. Duhet thënë që janë disi të vonuar, por shpresat janë që të paktën java e ardhshme t’i gjejë në fushë. Duhet nxituar edhe për merkaton, pasi veç titullarëve që mund të rinovojnë, ka domosdoshmëri për përforcimet në të gjitha repartet.

GARANCIA PËR ELITËN

Po gjatë takimit të djeshëm, përpara Cankës, Harremit, Çaços, Barjamajt, Ruços dhe të tjerëve, kryebashkiaku ka dhënë garanci për sezonin 2021-2022. Ai ka premtuar se Tomori do të investohet për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Puna nuk do të jetë assesi e lehtë dhe sidomos kur dihet që shumica e klubeve nuk po kursehen në merkato dhe do ta nisin kampionatin me pretendime madhore, por kjo nuk i pengon berataset që të luftojnë. Ata vjet ishin vetëm 90 minuta larg realizimit të ëndrrës. Edhe pse bënp një edicion mbresëlënës, përballë Kastriotit nuk ia dolën dot.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"