Beqja, frikë nga euforia: S’mund të gabojmë si Partizani, Skënderbeu apo Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2017 | 15:24

Beqja, frikë nga euforia: S’mund të gabojmë si Partizani, Skënderbeu apo Vllaznia

Kur duhet dhe një ditë nga ndeshja me Korabin, Teuta është duke u marrë me detajet e fundit për ndeshjen që do të luhet në “Elbasan Arena”. Gugash Magani ka grupin e gatshëm për këtë përballje, e cila shikohet si një mundësi e artë për të marrë tri pikë. Fabian Beqja për “Panorama Sport deklaron se skuadra nuk do të gabojë. Mbrojtësi i krahut të djathtë thekson se ndeshje të tilla meritojnë më shumë vlerësim.

tirana teuta beqja cise

“Ekipi duket më optimist dhe ka më shumë besim te vetja, sa i përket ndeshjes që kemi kundër Korabit. Edhe pse përballë kemi një ekip të rënë nga kategoria, nuk duam të përsërisim surprizat e vitit të kaluar. Kujtojmë këtu ndeshjen mes Partizanit dhe Bylisit apo Skënderbeut me Tërbunin. Pastaj, rasti më i freskët ndodhi javën e fundit, kur ishte Korabi që i mori barazimin Vllaznisë në Shkodër.

Duhet të tregojmë më shumë kujdes, por dhe të jemi më të karikuar duke mos i lënë shumë hapësira, kemi mundësitë që të zhvillojmë një lojë të bukur dhe të marrim rezultatin e dëshiruar. Nëse luajmë siç duhet, atëherë dalim kokë lart dhe me tri pikë nga ‘Elbasan Arena’. Nuk bëj parashikime dhe as deklarata, vetëm di të them që do të japim më të mirën tonë në fushë, duam tri pikë dhe do t’ia dalim. Fundi i takimit duhet të flasë për ne, rrugë tjetër nuk kemi”, përfundoi Beqja.

Sakaq, Gugash Magani ka provuar disa skema të ndryshme gjatë goditjeve standarde, por një minutash të konsiderueshëm i ka kushtuar dhe lojës së shpejtë dhe kapjes në befasi të kundërshtarit.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"