Beqiri, zv.trajner i Vllaznisë: Me Likën në krah e ngjisim Vllazninë, ja pse vendosa me kaq vonesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 22:39

Beqiri, zv.trajner i Vllaznisë: Me Likën në krah e ngjisim Vllazninë, ja pse vendosa me kaq vonesë

Elvin Beqiri është i bindur që Vllaznia do të jetë kalimtare në Kategorinë e Parë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka folur për të parën herë si zv.trajner dhe hapur e thotë se ndihet i vlerësuar për këtë detyrë. Nuk ngurron që të thurë elozhe për Hasan Likën, kur evidenton se me të suksesi do të jetë i garantuar.

Ish-mbrojtësi konfirmoi se hezitimi disaditor për t’i thënë “po” klubit erdhi vetëm prej FSHF-së. Por pasi ka marrë konfirmimin prej federatës, tashmë mund të nisë misionin për rikthimin e ekipit të zemrës në elitë. Beqiri komentoi edhe gjendjen e ekipit, por edhe merkaton. Ai thekson se për të përballuar këtë kategori, veç blindimit të titullarëve, shkodranët kanë nevojë për të afruar kualitete dhe kryesisht në mbrojtje e sulm.

elvin beqiri

Beqiri rikthehet te Vllaznia, por këtë herë me statusin e zv.trajnerit. Si ndiheni në këtë rol të ri?

Të jem i sinqertë, jam më shumë se i kënaqur për këtë rikthim në Shkodër. Pasi kam kontribuuar si lojtar ndër vite, më pas si trajner i ekipit U-19, ku u shpallem edhe kampionë, tashmë do të jem zv.trajner. Është një vlerësim i madh për mua. Ky rol më rrit përgjegjësinë për të punuar shumë më shumë, pasi duhet të justifikoj edhe besim që më është dhënë.

Zgjati shumë përgjigjja, kaq e vështirë ishte t’i thoshit “po” Vllaznisë?

Nuk është kurrë e vështirë t’i thuash “po” Vllaznisë. Por sikundër edhe dihet, unë jam aktualisht edhe zv.trajner i ekipit U-17 të Shqipërisë. Ndaj, për të marrë një vendim, ishte e pashmangshme që të mos kërkoja kohë. Sikundër është bërë e ditur edhe në gazetën tuaj, fillimisht duhet që të merrja leje edhe në federatë, nëse do më lejohej apo jo dypunësimi. Federata më dha OK-in dhe rrjedhimisht, ktheva përgjigje pozitive. Kjo ishte arsyeja e vetme e kësaj vonese, asgjë më tepër.

Mendoni se do t’ia dilni me sukses, që të mbani të dyja funksionet?

Gjë pa gjë nuk ka, por mendoj se kam forca për t’i përballuar me sukses që të dyja. Normalisht që puna ime më e madhe do të fokusohet te Vllaznia, ndërsa për pak kohë do të jem me Kombëtaren në fazën eliminatore që kemi. Duhet ta pranoj se fokusimi do të jetë më i madh në Shkodër.

Hasan Lika është një njohje e vjetër e juaja, si e prisni bashkëpunimin me të?

Ka qenë ideja e vetë profesorit që unë të jem një prej bashkëpunëtorëve të tij. Unë e kam pasur trajner kur isha pjesë e ekipit të Shpresave, e më pas edhe tek Vllaznia. Mendoj se është një person që të krijon mundësinë që të punosh. Falë këtij bashkëpunimi, suksesi do të jetë i garantuar.

A mund të ngjitet Vllaznia me këtë kontingjent që ka aktualisht apo duhen me çdo kusht afrime në merkato?

Një pjesë e madhe e lojtarëve të sezonit të shkuar janë larguar nga Vllaznia. Kanë mbetur vetëm një pjesë, përfshi këtu edhe titullarët. Kjo kategori nuk është kurrsesi e lehtë, por falë emrave me eksperiencë që kemi në organikë, si Lika, Tafili, Gocaj, Bardulla, Marku, Hajdari apo edhe Sherri, mund të përfitojnë edhe të rinjtë. Por kampionati është i gjatë, ndaj duhen sërish afrime për të siguruar misionin e vetëm që ne kemi. Jam në një mendje me teknikun Lika, i cili kërkon përforcime. Dhe kriteri duhet të jetë cilësi, pasi nuk kemi nevojë për lojtarë sa për të kaluar radhën.

Dhe cilat janë repartet që kanë nevojë urgjente për afrime?

Natyrisht, në mbrojtje dhe në sulm mbetet hendeku është më i madh. Largimi i dyshes së qendrës, Malota-Berisha, por edhe me Pjeshkën e dëmtuar, duhen me patjetër afrime. Por nevojë për lojtarë cilësorë ka edhe sulmi. Mendoj se në këto dy reparte duhet ndërhyrë. Koha është e limituar, por gjithsesi kemi ende shpresa që të arrijmë marrëveshje me ata lojtarë që ne dëshirojmë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"