Beqiri: Burreli “kockë e fortë”, Bylisin e kënaq vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2021 | 10:48

Beqiri: Burreli “kockë e fortë”, Bylisin e kënaq vetëm fitorja

Bylisi është me këmbë në tokë dhe ecuria e deritashme, në qoftë se nuk konkretizohet me një fitore edhe në Burrel për të konfirmuar pretendimet e skuadrës, zbeh atmosferën. Në Ballsh nuk duan t’ia lënë rastësisë, ndaj para Burrelit, presidenca e ka karikuar skuadrën, pasi luajnë një transfertë delikate.

Jeton Beqiri

Trajneri Jeton Beqiri është munduar që mentalitetin e fituesit t’ia injektojë edhe skuadrës së tij. Beqiri duket se ka dëshirë që të tijtë të jenë të përqendruar te kjo ndeshje, madje ta vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin e radhës. Për “Panorama Sport”, trajneri Beqiri në prag të sfidës me matjanët u shpreh: “Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne. Deri tani kemi bërë mirë, kemi treguar forcë karakteri që ka ardhur nga puna e mirë që është bërë në klubin tonë.

Ne i respektojmë edhe kundërshtarët dhe Burreli është një ekip që meriton respekt. I kam porositur djemtë të bëjnë lojën e tyre dhe secili të japë maksimumin në fushë, pastaj le të fitojë ai ekip që do të shfaqet më mirë”. Lidhur me situatën në prag të sfidës me matjanët, trajneri i Bylist shtoi: “Ekipet ndryshojnë nga njëri-tjetri si në përbërje, ashtu edhe në synime. Burreli po shfaqet si ‘kockë e fortë’, por unë kam besim se do t’i bëjmë ballë. Për gjashtë javë grupi është përgatitur me seriozitet dhe për këtë sfidë do të kem në dispozicion të gjithë lojtarët. Kjo është një arsye më shumë që ne të japim më të mirën në një transfertë shumë delikate si kjo me matjanët”.

I pyetur se çfarë synimi do të ketë Bylisi dhe a e kënaq pika në Burrel, Beqiri thotë: “Unë punoj për më të mirën, kështu që edhe skuadra futet në fushë për të dhënë më të mirën dhe për të marrë tri pikët. Në një ndeshje të rëndësishme kam besim se skuadra ime do të shfaqë vlerat e veta më të mira. Ne luajmë për të fituar si në fushën tonë ashtu edhe në transfertë.

Portieri kundërshtar hap sfidën: “Burreli vijon me suksesin e radhës”

igli koca

Burreli ka përpara një sfidë të vështirë, ku sot presin në shtëpi Bylisin kryesues. Matjanët vijnë në këtë takim pas rezultateve bindëse në dy ndeshjet e fundit, kur kanë fituar me diferencë të thellë golash ndaj Besës dhe Besëlidhjes. Skuadra ka zhvilluar këtë javë seanca të ngjeshura stërvitore duke pasur parasysh kundërshtarin që do të ketë përballë. Për portierin Igli Koca, ekipi është i motivuar “Do ta mbrojë me fanatizëm portën. Kam besim se do të bëjmë një lojë si në dy ndeshjet e fundit. Është normale që ndeshja do të jetë e vështirë, pasi Bylisi ka treguar në këto pesë javë që di të fitojë, por ne do të bëjmë thjesht detyrën dhe do të vijojmë me serinë e rezultateve të plota.

Kapacitetet tona janë të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo kundërshtari dhe çdo ndeshje e konsiderojmë si finale. Në skuadër ka optimizëm, por jo eufori. Me lojën në grup do të arrijmë të marrim tri pikët e radhës. Respekt për çdo kundërshtar, por në fund fitorja do të jetë e jona”, tha Koca për “Panorama Sport”. Megjithatë, fituesi i kësaj sfide do të zbulohet vetëm pas përfundimit të 90 minutave lojë që do të zhvillohet në stadiumin “Liri Ballabani”. Drejtuesit e stafit teknik janë të bindur që djemtë do të bëjnë maksimumin në fushë për të ruajtur ecurinë e fitoreve të nisura në dy javët e fundit. Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe asnjë prej tyre nuk është i dëmtuar apo i penalizuar nga kartonët.

ERJON SALIU/ DRITAN KURTI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"