Benzema-Vinicius, sulm “atomik” kundër Interit/ Ançeloti i gëzohet formës së mirë të lojtarit brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 22:00

Benzema-Vinicius, sulm “atomik” kundër Interit/ Ançeloti i gëzohet formës së mirë të lojtarit brazilian

Karlo Ançeloti e nisi sezonin me Bejlin dhe Hazardin në mbështetje të Karim Benzemasë, i cili është pikë referimi e palëvizshme në formacionin madrilen që nga largimi i Kristiano Ronaldos. Trajneri italian e respektoi hierarkinë dhe asgjë nuk ishte rastësi. Uellsiani shkëlqeu në aventurën e parë të Ançelotit me Realin e Madridit, ndërsa belgu gëzonte respektin e italianit për atë që ka bërë në kampionatin anglez.

1200-L-liga

Katër ndeshje më vonë, Vinicius Xhunior ka “prishur” planin fillestar. Dëmtimet e përhershme të Bejlit ia bënë më të lehtë ndryshimin trajnerit, i cili spostoi Hazardin djathtas dhe aktivizoi brazilianin majtas. Ky është habitati i preferuar i tij. “Vinit” nuk iu desh shumë kohë për t’i treguar vlerat, për të çekuilibruar kundërshtarin, për t’u futur vertikalisht dhe për të krijuar rrezik sa herë ka topin në këmbë.

SHPËRTHIMI

Statistikat janë ato që nuk gënjejnë kurrë. Vinicius ka përmirësuar ndjeshëm të dhënat e tij duke gjetur rrugën e rrjetës 4 herë në 4 ndeshjet e luajtura deri tani, po aq gola sa në 46 ndeshjet e mëparshme me Realin e Madridit. Përtej numrave është e dukshme edhe rritja e tij në fushë.

Braziliani është përmirësuar ndjeshëm në aspektin e golave. Sa herë prek topin ai përhap panik te mbrojtjet kundërshtare. Ançeloti e këshilloi që ta prekë topin më pak dhe të përdorë shpejtësinë e tij. Ai është duke dhënë frytet dhe duke i mahnitur të gjithë. Sulmi i Realit të Madridit tani është Benzema-Vinicius dhe një futbollist tjetër. Asensio, Rodrigo dhe Bejli do të luftojnë me njëri-tjetrin sepse të paprekshmit janë Benzema dhe Vinicius.

HAZARD, NË RËNIE

Benzema dhe Vinicius nuk vonuan që të nxirrnin jashtë skenës Eden Hazardin. Në ndeshjen e fundit në kampionat dhe të parën në “Bernabeu” ishin dy sulmuesit dhe Luka Modriç që dhanë leksione futbolli. Një futboll që ka sjellë deri tani 13 gola në 4 ndeshje. Nëntë prej tyre janë shënuar nga Benzema dhe “Vini”, njëri 5 dhe tjetri 4.

Sulmuesi francez ka arritur që të marrë përkohësisht edhe listën e golashënuesve të kampionatit spanjoll me 5 gola dhe 4 asiste. Interi është i paralajmëruar dhe duhet të bëjë kujdes në ndeshjen e nesërme. Mbrojtja zikaltër do të qëndrojë e vëmendshme për 90 minuta nëse dëshiron që të marrë pikë në këtë sfidë, pasi Benzema dhe Vinicius po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe duan të lënë gjurmë edhe në Champions.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"