Benzema në superformë, por bëhet i “vogël” kundër skuadrave të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 20:20

Benzema në superformë, por bëhet i “vogël” kundër skuadrave të mëdha

Karim Benzema është në një moment të artë të karrierës së tij, por që gjithçka të jetë perfekte, duhet që t’u shënojë skuadrave të mëdha. Në një Real që ka humbur golat pas largimit të Kristiano Ronaldos, francezi shënoi 30 sezonin e kaluar dhe këtë vit e ka gjetur rrjetën 4 herë në 5 ndeshje. Në kampionat nuk ka zhgënjyer, por në provën e vërtetë dhe më të rëndësishme të sezonit si ajo kundër PSG-së u rikthye të “dështonte”.

benzema

Francezëve u ka shënuar vetëm 1 gol në 11 ndeshjet e luajtura kundër tyre. Në vitin e kaluar, pavarësisht se arriti shifra goleadori, pati të njëjtin problem kundër gjashtë skuadrave të mëdha në kampionatin spanjoll. Kundër tyre arriti të shënonte vetëm një gol, atë ndaj Valencias në javën e 30-të të La Ligës. Kundër Barcelonës, Atletikos, Getafes dhe Sevijes qëndroi në zero. Duhet theksuar që djemve të Simeones u shënoi në Superkupën e Europës.

Në të gjithë historinë e tij me Realin e Madridit, Benzema e ka shfaqur këtë pikë të dobët. Që nga koha kur është transferuar në Spanjë, ai ka shënuar 226 gola në 470 ndeshje, mesatarisht 1 gol në dy ndeshje. Shifrat zbehen më shumë kur bëhet fjalë për skuadrat e mëdha në Spanjë. Me fanellën “galaktike” ai ka luajtur 64 ndeshje kundër Barcelonës dhe Atletikos dhe u ka shënuar vetëm 13 gola, 1 gol në 5 ndeshje. Për t’u shënuar një gol katalanasve i duhen 250 minuta lojë, ndërsa kundër Atletikos shënon 1 herë në 591 minuta. Katalanasit janë viktima e tij e preferuar. Numrat nuk janë të shkëlqyer as ndaj rivalëve të radhës: Sevija.

Viktimat

Janë vetëm 6 ekipe që sulmuesi francez nuk ka arritur t’u shënojë të paktën 10 gola dhe një prej tyre është Sevija. Në 21 ndeshje ka arritur të shënojë 8 herë. Nesër në mbrëmje do të ketë shansin që të udhëheqë sulmin e Realit të Madridit kundër Sevijes dhe të përmirësojë statistikat kundër andaluzëve. Në fakt, ky është objektiv dytësor, sepse Benzema dëshiron vetëm që të ndihmojë Realin të rikthehet te fitoret dhe ta afrojë më shumë me kreun e klasifikimit në kampionatin spanjoll. Zidan thotë se e dëshiron gjithmonë me vete sulmuesin francez, në çdo “luftë” që shkon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"