Benzema me “bateritë” e karikuara përpara “El Clasico”-s: Fitorja ndaj Shahtjorit, antipastë për Barcelonën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 12:11

Benzema me “bateritë” e karikuara përpara “El Clasico”-s: Fitorja ndaj Shahtjorit, antipastë për Barcelonën

Karim Benzema duket në formën më të mirë në karrierën e tij si futbollist. Sulmuesi i Realit të Madridit vazhdon të shkëlqejë duke mos reshtur së shënuari. Mes angazhimeve me Realin e Madridit dhe kombëtaren franceze, 33-vjeçari nuk di të ndalet. Ai ka qenë protagonist edhe në fitoren që Reali ka arritur të martën në mbrëmje në Ligën e Kampioneve kundër Shahtjor Donjetskut në Kiev, 5-0.

BENZEMA

Ka qenë ai që ka vulosur “manitën” spanjolle duke realizuar golin e pestë. Një gol që ka pasur dhe një domethënie më shumë për sulmuesin, i cili ka arritur një legjendë të Realit si Santijana në kuotën e 290 golave. Karim Benzema është bërë kështu golashënuesi i katërt më i mirë në historinë e Realit.

Golat dhe puna që Benzema bën për ekipin e tij e kanë kthyer atë në një lojtar thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për Karlo Ançelotin. Me paraqitjet e tij, Benzema ka ndryshuar dhe mendjen e trajnerit të Francës, Didie Deshamp, i cili pasi e ka kthyer në kombëtaren trikolore, tani po e sheh si një lojtar gjithnjë e më të rëndësishëm.

“Benzema është si vera, që përmirësohet me kalimin e viteve”, deklaronte pak kohë më parë trajneri i “Los Blancos”, Karlo Ançeloti. Deri më tani koha i ka dhënë të drejtë fjalëve të italianit, i cili ka një armë më shumë në dorë, për më tepër në prag të Klasikes kundër Barcelonës.

SHIFRAT – Arritja e Santijanës nuk ka qenë i vetmi rekord i Benzemasë pas golit në Kiev kundër Shahtjorit. Shifrat e tij janë mbresëlënëse. Mes Realit dhe kombëtares së vendit të tij ai ka shënuar 13 gola në 15 takimet e fundit. Me Realin ka shënuar 9 gola në 8 takime në kampionat dhe 2 gola në 3 ndeshje në Champions. Me Francën ka realizuar 2 gola në 4 sfida. Me këto shifra ai ka të gjithë të drejtën të kandidojë seriozisht për “Topin e Artë”.

TË DHËNAT – Shpesh i “akuzuar” se punon për ekipin por shënon pak, tashmë Benzema po bën dhe goleadorin e mirëfilltë. Në vitin 2021 arriti objektivin e 30 rrjetave, teksa rekordet vijojnë me 10 gola në 10 takimet e fundit që ka zbritur në fushë, 8 me Realin dhe 2 me Francën. Këtyre golave të shënuar i shtohen dhe 8 asiste, që e bëjnë francezin vërtet të jashtëzakonshëm.

KLASIKJA – Reali i Madridit mbërrin në Klasiken e së dielës me bateritë e karikuara plot pas suksesit në Champions kundër Shahtjorit. Për më shumë, Ançeloti mund të mbështetet te Karim Benzema në formë të shkëlqyer. Edhe vetë sulmuesi e ndjen peshën në ekip dhe rëndësinë që paraqet përballja e së dielës kundër Barcelonës. “Më vjen mirë për golin dhe shpresoj të vazhdoj të ndihmoj ekipin për të fituar ndeshje pas ndeshjeje. Ky sukses ishte një përgjigje për disa rezultate negative.

Tani kemi përpara Klasiken me Barcelonën dhe kjo fitore na çon me moralin lart në ‘Camp Nou’”, ka thënë Karim Benzema. Kujtojmë se përballja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit do të zhvillohet të dielën e ardhshme në orën 16:15.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"