“Benzema dhe Modriç duhet ta mbyllin karrierën këtu”/ Ançeloti: Kalendarë vrastarë, s’mund të vazhdohet më kështu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 12:23

“Benzema dhe Modriç duhet ta mbyllin karrierën këtu”/ Ançeloti: Kalendarë vrastarë, s’mund të vazhdohet më kështu

Reali i Madridit ka lënë pas një janar të ngjeshur me ndeshje dhe që nga sonte në mbrëmje përballë Valencias do të nisë një tjetër muaj edhe më të vështirë. Për skuadrën e Ançelotit do të nisë një seri përballjesh në shumë fronte, La Liga, Liga e Kampioneve, Botërori i Klubeve…anceloti

Kjo ngjeshje e kalendarit, me skuadrën që do të duhet të zbresë në fushë çdo tri ditë, e ka trembur jo pak trajnerin Ançeloti. Jo vetëm kaq, por kjo situatë e ka tërbuar teknikun e “Los Blancos”, i cili ka theksuar se nëse vijohet me këto ritme rrezikohet të shkatërrohet futbolli.

“Skuadra është duke u përmirësuar në çdo drejtim, në atë fizik dhe në gjendjen individuale të secilit. Kjo na lejon të luajmë më shumë ndeshje dhe me më shumë intensitet. Por deri kur do të vijojë kështu? Nuk e di këtë. Por nuk më pëlqen aspak. Ky muaj është shumë i rëndësishëm, por nëse vijohet me këto ritme, me këtë kalendar, nuk di se çfarë të them”, nënvizoi italiani në konferencën para takimit të prapambetur të javës së 16-të kundër Valencias.

Trajneri i Realit nuk e ka fshehur shqetësimin e tij edhe më tej, teksa ka shtuar se skuadra nuk mund të bëjë përzgjedhje mes kompeticioneve.

“Ne jemi Reali i Madridit dhe nuk mund të mendojmë ndryshe për një kompeticion e ndryshe për një tjetër. Jemi në garë në 4 fronte, jemi në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, jemi në 1/8-at e finaleve në Champions, jemi në Botërorin e Klubeve dhe në garë për titullin në La Liga. Por kalendari më shqetëson shumë. Nëse futbollistët nuk do të kenë kohë për të pushuar më mirë t’i vëmë drynin kësaj pune. Lojtarëve u pëlqen të luajnë, por çdo gjë ka një kufi dhe ky kufi po tejkalohet. Ne duhet të mendojmë si ta shmangim këtë situatë, sepse La Liga, FIFA, UEFA dhe federata spanjolle nuk kanë ndër mend të ulin ritmin”, tha Ançeloti.

Italiani ka folur edhe për ndeshjen kundër Valencias dhe largimin e Gatuzos.

“Ne duam fitoren natyrisht, nuk mund të lëmë të tjera pikë rrugës. Gatuzo? Kur zëvendësohet një trajner kjo vjen jo vetëm për shkak të gabimeve të tij. Por bëhet vetëm me qëllim ndryshimin e dinamikës dhe vënies së lojtarëve para përgjegjësisë”, ka thënë Ançeloti.

Tekniku i Realit ka folur edhe për dyshen Benzema-Modriç dhe ofertat që ata kanë pasur nga Arabia Saudite.

“Nuk mendoj se Benzema dhe Modriç do të trokasin në derën time, sepse nuk u duhet mendimi im në këtë rast. Ata janë legjenda të klubit dhe duhet ta mbyllin karrierën te Reali i Madridit”, tha ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"