Benzema: Deshamp s’më thërret më në kombëtare, i është dorëzuar pjesës raciste të shoqërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 15:51

Benzema: Deshamp s’më thërret më në kombëtare, i është dorëzuar pjesës raciste të shoqërisë

Nuk do të jetë dokumentari i transmetuar të dielën dhe as ndërhyrja në transmetimin direkt ajo që do të bëjë Didie Deshampin të ndërrojë mendje. Karim Benzema rrezikon të qëndrojë jashtë kombëtares së Francës për një kohë të gjatë, pavarësisht përpjekjeve për të çmontuar akuzat dhe paragjykimet lidhur me reputacionin dhe problemet me drejtësinë.

deshamp benzema

Por në fund, është vetë sulmuesi i Realit të Madridit që i minimizon shanset e mundësisë së rikthimit të tij me fanellën blu duke treguar se e ka me trajnerin që e la jashtë Europianit të Francës një vit më parë. Një përjashtim që Benzema e shpjegon duke thënë se: “Deshamp i ishte dorëzuar një pjese raciste të shoqërisë franceze”.

SHANTAZHI

Historia mes Benzemasë dhe Deshampit në realitet është ajo e një dashurie të tradhtuar. Ish-lojtari i Juventusit e ndërtoi fillimisht Francën e tij rreth talentit të sulmuesit duke e mbrojtur kur ai kishte një periudhë të gjatë që nuk arrinte të shënonte me “Les Bleus” dhe mediat e shtynin drejt stolit. Ai e mori edhe në Botërorin e 2014-ës si liderin teknik të skuadrës së tij.

Por, në tetor 2015 shpërtheu skandali i regjistrimit me përmbajtje seksuale të Valbuenës, në të cilin Benzema u hetua për akuzën se kishte bërë negociatorin e shantazuesve, të cilët tentonin të fusnin në kurth kolegun e tij. Një intrigë që shkaktoi një polemikë politike. Dhe në fund, Deshampi vendosi që të heqë dorë nga lojtari. Ndoshta, edhe sepse pas akuzës së diskriminimit nga ana e Benzemasë në murin e një prej vilave të trajnerit u shkrua fjala “racist”.

VIKTIMË

Të dielën në “Canal+” Benzema tentoi ta sqaronte situatën, por pa e maskuar dot zemërimin e tij duke thënë se ndihej viktimë e një hetimi që e kishte përfshirë edhe atë, pavarësisht fjalës së tij se kishte ndërhyrë vetëm për të ndihmuar Valbuenën. Hetimet mund të mbyllen muajt e ardhshëm dhe akuzat ndaj Benzemasë mund të bien, ashtu si në rastin e shkuarjes me prostitutën minorene, Zahia, në vitin 2010.

Në të njëjtën kohë, sulmuesi u detyra të heqë dorë nga Europiani i luajtur në atdhe: “E doja sepse isha në kulmin e formës time dhe isha gati”. Më pas, Benzema saktëson se ai nuk ka asnjë problem me lojtarët e kombëtares: “Por, derisa të jetë Deshamp në stol, unë nuk do të kem mundësi të rikthehem”.

MBROJTJA

Ndërhyrja e fundit dhe ndihma e pakursyer nga ana e Ronaldos, Ramosit, Henrisë dhe Zidanit, është kulmi i një fushate mediatike të orkestruar gjatë jav- ëve të fundit, e cila shënjestron trajnerin e kombëtares që e dërgoi Francën deri në finalen e Europianit, humbur 1-0 kundër Portugalisë, por edhe e kualifikoi atë në Botëror.

Ai sapo rinovoi deri në vitin 2020 duke u dhënë fund zërave për uljen e Zidanit në stol pas Botërorit të Rusisë. Në mbrojtje të Deshampit dje u rreshtua edhe ish-kolegu Biksente Lizarazu, tashmë një opinionist i rëndësishëm për faqet e “Le Figaro”:

“Të kritikosh Deshampin është si ta shohësh gotën gjysmëbosh. Po bën një punë të shkëlqyer. Edhe në të shkuarën trajnerë të tjerë kanë përjashtuar kampionë të mëdhenj. Është pjesë e detyrës të bësh edhe zgjedhje jopopullore. Tashmë ka shumë kohë që Benzema nuk luan më me kombëtaren”. Dhe Franca e Grizman, Mbape, Pogba dhe Varan duket se jeton mirë edhe pa yllin e Realit.

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"