Bellain e kënaq vetëm triumfi me Erzenin: Bylisi është në formë, sot pres fitore ndaj shijakasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 9:41

Bellain e kënaq vetëm triumfi me Erzenin: Bylisi është në formë, sot pres fitore ndaj shijakasve

Bylisi ka mbyllur përgatitjet dje pasdite dhe është grumbulluar në kompleksin “Gjanica” për sfidën e sotme në orën 15:00 me Erzenin në stadiumin “Adush Muça”. Ballshiotët vijnë në këtë sfidë pas barazimit me Egnatian dhe në këtë periudhë pauze të kampionatit, stafi ka punuar shumë për të korrigjuar ato mangësi që janë shfaqur, por edhe për të harmonizuar sa më shpejt me grupin afrimet e fundit si Riste Karakamishev, Çarls Atshimene dhe Felipe Soza Ferreira. Trajneri Arian Bellai është optimist se do ta mundin sot Erzenin dhe në intervistën për “Panorama Sport”, thekson se grupi që ka në dispozicion është bërë edhe më kompakt. Sipas tij, Bylisi i ka të gjitha mundësitë që të jetë në pjesën e sipërme të renditjes gjatë gjithë kampionatit. Lajm i mirë për trajneri gjirokastrit është se nuk do të ketë asnjë mungesë.

ARIAN BELLAI

Arian, së pari sa e keni shfrytëzuar këtë pushim në kampionat dhe si e prisni sfidën me Erzenin?

Është një sfidë që ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Kemi punuar shumë, thuajse në çdo drejtim. Ashtu sikurse sipas një plani, kemi punuar edhe me afrimet e fundit të merkatos, që edhe ata të kapin sa më shpejt formën e tyre. Natyrisht që na ka vlejtur dhe jam i kënaqur me ekipin. Jemi më kompakt si grup. Sa i përket Erzenit, është një ekip simpatik që ka bërë mirë, por ne luajmë në fushën tonë dhe në këtë sfidë duam më të mirën. Jemi munduar që ta shfrytëzojmë në favorin tonë këtë periudhë dhe besoj se jemi të mobilizuar në maksimum.

Si është gjendja e lojtarëve që kanë ardhur në limitet e merkatos?

Janë lojtarë me cilësi dhe që i kemi pjesë të kontingjentit për në vijimin e garës. Të gjithë na shërbejnë dhe di të them se Bylisi ka jo vetëm organikë të plotë, por edhe cilësi. Në vijim na duhen rezultatet pozitive, sepse tashmë ekipi është i konturuar dhe presim që të shprehet më mirë në fushën e lojës.

Me Egnatian vetëm barazim, po sot me Erzenin do ta pranonit një pikë apo vetëm fitore?

Futbolli është një lojë kolektive dhe i paparashikueshëm. Me Egnatian u bë ndeshje e bukur dhe me ritëm. Në këtë ndeshje me Erzenin, që e luajmë sërish në fushën tonë, kënaqemi me tri pikët. Ta fitojmë këtë sfidë shtëpie dhe të jemi në pozita konstante në tabelë, duke rritur më shumë besimin në vetvete në vazhdimësinë e garës.

Deri ku mund të shkojë ky Bylis?

Nuk mund të bëj parashikime. Është ndërtuar një skuadër që nuk i mungon asgjë dhe këtë e them me bindje të plotë. Na duhen rezultate, pra duhet të fitojmë sot me Erzenin. Ky është qëllimi i përbashkët që ne kemi. Me pas të shohim, pasi ndeshja e radhës është objektivi ynë kryesor. Të luajmë me dëshirë dhe të tregojmë në fushë atë që ne kemi punuar këto ditë. Unë besoj shumë te Bylisi dhe e them me bindje se ka mundësi që të jetë në vendet e sipërme. Këtë e them bazuar në punën që po bëhet dhe kualitetet që kemi, por duke qëndruar me këmbë në tokë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"