Bekim Balaj: Pavarësisht largimeve, Kombëtarja mbetet e bashkuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2017 | 13:45

Bekim Balaj: Pavarësisht largimeve, Kombëtarja mbetet e bashkuar

Bekim Balaj thotë se grupi i Kombëtares mbetet i bashkuar pavarësisht largimit të lojtarëve të veçantë. Këtë deklaratë sulmuesi shkodran e bëri sot gjatë një dalje para mediave në prag të miqësores së të martës ndaj Bosnjës.

Bomberi i Terek Groznit thotë se shpreson të luajë në këtë ndeshje, sikurse kishte dëshirë edhe kundër Italisë, megjithatë pranon vendimet e trajnerit.

Balaj konference

Deklaratat e Balajt:

Mungesa ndaj Italisë

“Kur je pjesë e Kombëtares, normalisht dëshira është e madhe për të dhënë kontribut në çdo ndeshje. Aq më tepër në ndeshje të nivelit të tillë si Italia, që është ëndërr për gjithsecilin nga ne. Duke u kthyer në fëmijërinë tonë, jemi rritur me kampionatin italian. Dëshira ishte e madhe, gjithsesi zgjedhja e trajnerit ishte që të mos luaja në atë ndeshje. Tani vazhdojmë përpara, shohim ndeshjet e tjera”.

Tri ndeshje pa shënuar

“Mund të them se në atë ndeshje deri diku ishim edhe të pafat, pasi disa mundësi na u dhanë. Megjithatë nuk duhet të gjejmë fajtorin nëse është sulmi apo mesfusha. Ne luajmë si ekip, si kolektiv, dhe kur shënojmë është merita e të gjithëve. Sulmuesi thjesht duhet ta finalizojë. Cikalleshi dhe Roshi që ishin pjesë e sulmit nuk e kishin fatin me vete, pasi ndeshja mund të merrte një rrjedhë tjetër. Shohim përpara dhe shpresojmë të shënojmë kundër Bosnjës”.

Forma personale

“Nuk besoj se forma më ka penalizuar për të mos luajtur në Itali, thjesht ishte zgjedhja e trajnerit. Është e vërtetë që pas afro tre muajsh pushimi kampionati rus kishte rinisur prej tri javësh. Të gjitha këto ndeshje i kam luajtur të plota dhe jam i gatshëm e në formë. Siç isha me Italinë jam edhe për Bosnjën dhe shpresoj të kem mundësi të jap kontributin tim. Normalisht unë kërkoj dhe shpresoj të jem gjithmonë titullar, pastaj ajo është zgjedhje e trajnerit”.

Atmosfera në skuadër

“Unë nuk e di arsyen e vërtetë pse Xhaka dhe Abrashi u larguan nga grumbullimi. Atmosfera në skuadër është e mirë, siç ka qenë gjithmonë. E kemi treguar përherë se kemi ecur mirë dhe kemi arritur rezultate falë grupit të mirë qe kemi  krijuar gjatë këtyre viteve. Se një apo dy lojtarë mund të mos jenë pjesë e ekipit për arsyet e tyre, grupi vazhdon të jetë i fortë dhe të gjithë bashkë shohim përpara”.

Misioni për vendin e tretë

“Ndeshjen e radhës e kemi kundër Izraelit, kundërshtarit direkt që na ka mbetur në grup. E rëndësishme për ne është që të bëjmë më të mirën në këto ndeshje që kanë mbetur, pastaj bëhen llogaritë me pikët që do marrim”.

Prurjet e reja

Prurje të reja do ketë gjithmonë, sikurse kemi qenë edhe ne para disa vitesh. Duke parë edhe moshën, unë pretendoj të luaj jo vetëm në eliminatoret e radhës, por edhe te pasueset. Kjo varet nga forma dhe gjendja që do kaloj, prandaj duhet të pushoj shumë. Konkurrenca do vijë në rritje, ndaj puna dhe përkushtimi im për të qenë pjesë e Kombëtares do jetë gjithmonë i lartë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"