Bekhami në telashe, stadiumi rrezikon të mos jetë gati për sfidën debutuese
Të ngresh një skuadër futbolli nga themelet nuk është aspak e lehtë dhe aq më shumë në një sistem si ai i kampionatit amerikan. Po, pikërisht kështu, sepse në MLS nuk mund të bësh merkaton që do, por duhet të zgjedhësh mbi një grumbull futbollistësh që regjistrohen në federatë.
Këtë gjë po e vuan në lëkurën e tij Dejvid Bekham, i cili ka ndërtuar klubin e tij privat, Inter Majemi, i cili vazhdon të hasë probleme pas problemi. Dhe kur kanë mbetur dy muaj nga fillimi i sezonit të ri, klubi debutues me qendër në Florida, ka një problem shumë më të madh sesa grupi i lojtarëve, i cili nuk mund të injorohet aspak: stadiumin që ai po ndërton, i cili nuk është ende gati.
ME SHUMË VONESË
Siç raporton “The Sun”, ndërtimi është me shumë vonesë, ndonëse goditja e parë e topit nga qendra e fushës afron. Në teori, Inter Majemi duhet ta nisë aventurën e tij në MLS, në shtëpi, përballë Los Anxheles Galaksi, më 14 mars, por hipoteza që Bekham të kërkojë një “strehim” tjetër për ndeshjen e parë, ndërsa “Fort Lauderdale” të kompletohet, po bëhet një ide edhe më konkrete. Nëse në uebsajtin e klubit tregohet vetëm pamja e një tribune të përfunduar, “The Sun” ka vizituar nga pranë dhe publikon fotot e pjesës tjetër të medaljes së stadiumit, e cila dallohet qartë se është ende larg të quajturit i përfunduar.
VAZHDOJNË ABONIMET
Gjithsesi, Bekham dhe bashkëpunëtorët e tij nuk duhen aspak të shqetësuar, duke qenë se uebsajti i Inter Majemit vazhdon t’i bëjë një reklamë madhështore ndeshjes me Galaksi, ndërkohë që edhe fushata e abonimeve vjetore për tifozët është hapur me kohë dhe vazhdon për të garantuar ndenjësen personale për ndeshjet në shtëpi. Por ndoshta, nëse ritmet nuk ndryshojnë, sfidën e parë sezonale tifozët e skuadrës së Bekhamit do ta shijojnë larg strofkës së tyre të re, që është në ndërtim e sipër.
/PANORAMASPORT.AL/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"