Begeja shpreh dëshirën: Pres edhe një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2016 | 14:20

Begeja shpreh dëshirën: Pres edhe një sulmues

Një ditë përpara ndeshjes miqësore me Pogradecin, trajneri i Teutës Gentjan Begeja ka zhvilluar dy seanca stërvitore. Ai po kërkon të marrë maksimumin nga lojtarët e tij dhe ditën e sotme, në orën 15:00 durrsakët do të provojnë forcat me ekipin pogradecar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Begeja tregon gjendjen e ekipit dhe vlerëson impenjimin e futbollistëve të tij. Ai gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht edhe lojtarët e rinj që janë afruar te Teuta duke thënë se janë përshtatur shumë shpejt.

Begeja, trajneri i Teutes

“Sot kemi një ndeshje testuese me ekipin e Pogradecit dhe di të them që skuadra është në kulmin e ngarkesës fizike. Lojtarët po stërviten nga dy herë në ditë dhe në këtë ndeshje do të aktivizoj të gjithë lojtarët duke u dhënë mundësinë të gjithëve, por edhe duke mos i sforcuar më shumë pasi stërvitjet janë shumë të ngarkuara”, tha Begeja. Ai gjithashtu theksoi se rezultati i kësaj sfide nuk do të ketë aspak rëndësi.

“Nuk do të fiksohem pas rezultatit, por do të shikoj gjendjen e lojtarëve të mi, si edhe impenjimin e tyre. Nuk mund t’i vë lojtarët nën presionin e rezultatit, ndërkohë që ne zhvillojmë nga dy seanca stërvitore në ditë. Nuk dua të kem dëmtime dhe u kërkoj futbollistëve të jenë të kujdesshëm. Duhet të jemi të gjithë përpara fillimit të kampionatit”, vazhdoi më tej numri një i durrsakëve.

teuta stervitje

Ai foli edhe për merkaton e bërë duke shpresuar që në ekip të afrohet edhe një sulmues. “Lojtarët po punojnë shumë dhe ata që janë afruar në merkato janë ambientuar shumë shpejt. Rashica? Është duke u stërvitur mirë dhe po e kalon problemin fizik që kishte. Ndërkaq, për merkaton di të them se po presim edhe një sulmues dhe nuk besoj se do të zgjasë shumë pritja, pasi në ditët në vazhdim sulmuesi do të jetë me ekipin”, përfundoi trajneri i Teutës.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"