Begeja “shkund” Teutën: Pres më shumë nga disa lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2018 | 18:38

Begeja “shkund” Teutën: Pres më shumë nga disa lojtarë

Teuta vazhdon me përgatitjet për transfertën e Lushnjës. Në dispozicion të stafit teknik janë të gjithë futbollistët, me përjashtim të kapitenit Arbër Çyrbja, i cili është i dëmtuar. 24-vjeçari ka një kontraktim dhe do të mungojë kundër Lushnjës. Rikuperimi i tij kërkon disa ditë kohë dhe sipas stafit mjekësor, ai do të jetë i gatshëm vetëm për sfidën me Laçin.

teuta

Përpara stërvitjes, trajneri Gentian Begeja zhvilloi një analizë për barazimin me Skënderbeun. 44- vjeçari e përgëzoi skuadrën për ndeshjen që zhvilloi, teksa u kërkoi disa lojtarëve të marrin më tepër përgjegjësi dhe të jenë më vigjilentë në fushë. “Jemi në vazhdën e lojërave të mira, por me irriton shumë fakti që nuk e mbrojmë dot rezultatin. Kundër Skënderbeut bëmë një ndeshje të mirë, por në fund pësuam duke humbur dy pikë me vlera jetike për ne. Nuk është hera e parë që ne pësojmë kështu golash, ndaj kërkoj më tepër impenjim, pasi rreziku është shumë i madh.

Gjithsesi, mënyra se si e keni interpretuar lojën më pëlqen, por nga disa lojtarë këtu pres më shumë dhe nuk është nevoja të përmend emra. Tani të gjithë të fokusohemi te Lushnja, është një kundërshtar që meriton respekt dhe dua ta vlerësoni maksimalisht për të marrë fitoren”. Mësohet se mes të tjerave kështu u është drejtuar lojtarëve trajneri në analizë. Në fakt, Lushnja, edhe pse renditet në fund të klasifikimit, është një kundërshtar që meriton të vlerësohet maksimalisht nga “Djemtë e Detit”. Në dy takimet e zhvilluara mes tyre, lushnjarët u kanë marrë 4 pikë durrsakëve .

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"