Begeja sfidon “grupin e zjarrit”: Jemi për elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2019 | 20:35

Begeja sfidon “grupin e zjarrit”: Jemi për elitë!

Kastrioti, Besëlidhja dhe Dinamo mund të konsiderohen skuadrat pretendente për Superioren në Grupin A, por mekatoja e deritanishme flet edhe për një Erzen të fortë. Trajneri i shijakasve, Gentian Begeja, beson se ka ndërtuar ekipin e duhur për të synuar vendin e parë, pavarësisht konkurrencës së fortë.

begeja

Ai pohon se ka marrë lojtarët që ka dashur dhe se ka një grup të kompletuar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri durrsak flet për merkaton, për kampionatin e ri dhe ndryshimin e formulës.

Z.Begeja, me lëvizjet e fundit në merkato duket se Erzeni e ka marrë shumë seriozisht sezonin e ri. Cilët janë objektivat tuaja?

Normalisht ka qenë një projekt që kur unë kam ardhur në Shijak, në muajin shkurt. Qysh atëherë kishim një plan për këtë sezon, për të pasur një ekip pretendent për Superioren. Deri tani jemi në rregull me këtë projekt, sepse lojtarë që kam dashur i kemi marrë, e kemi kompletuar skuadrën. Mund të presim edhe ndonjë afrim të fundit, por gjithsesi mund të them se e kemi skuadrën të plotë në të tria repartet.

Sezonin e fundit ishte Vllaznia në grupin tuaj dhe ndoshta ishte e vështirë për Superioren. Po me rivalët aktualë, si e shihni garën?

Erzeni, me aq sa e kam ndjekur, ka qenë pretendent edhe sezonin e fundit, por Vllaznia ishte skuadra që bënte diferencën me të tjerët në Grupin A. Këtë vit, duke parë edhe seriozitetin e drejtuesve të Erzenit, them se jemi gati. Kemi bërë merkato të mirë, kemi bërë një ekip të mirë dhe mendoj se jemi pretendentë seriozë për t’u ngjitur në elitë, pastaj kampionati është i gjatë dhe asnjëherë nuk i dihet çfarë ndodh.

Cila mund të jetë ajo “arma” plus që ju të sfidoni rivalë si Besëlidhja, Kastrioti, Dinamo?

Ne i respektojmë të gjitha skuadrat e tjera, por po t’i referohemi merkatos sonë, me lojtarët që kemi marrë besojmë se jemi pretendentë për vendin e parë. Kualiteti i lojtarëve që kemi marrë do të na ndihmojë për të arritur atë që duam.

Si ju duket formula e re e Kategorisë së Parë?

Sigurisht që ndryshimet e bëra në formulën e kampionatit janë një plus. U jepet një shans edhe ekipeve të vendeve të dyta për të bërë “play-off” me vendin e 8-të të Superiores. Mendoj se është zgjidhje e mirë në raport me formulën që ishte më përpara në Kategorinë e Parë. Në grupin tonë janë disa pretendentë për Superioren, ndryshe nga grupi i jugut, ku, me sa kam parë, ka më pak skuadra me pretendime. Është shans për një skuadër, që për shumë e shumë arsye, mund të dalë në vend të dytë. FSHF-ja e ka menduar mirë.

Do të ishte më korrekte që ndeshja shtesë të luhej në fushë asnjanëse dhe jo në fushën e ekipit të Superiores?

Kështu e kanë menduar dhe tani nuk kemi çfarë të bëjmë. Po të ishte për mua, do të doja të luhej me dy takime, vajtje-ardhje, ose një finale në fushë asnjanëse, por tashmë është e vendosur.

Ish-skuadra juaj, Teuta, nuk mundi të linte gjurmë në Europë. E keni ndjekur?

Teutën e kam ndjekur, sepse është skuadra ime, e ndjek çdo javë. Kanë bërë punë të mirë në klub sezonin që shkoi, duke marrë lojtarë me përvojë. Shkuan në Europë dhe ky ishte një sukses i merituar. Në Europë, në fakt, prisja më shumë, sepse kisha besim se do ta kalonin ekipin letonez. Por nuk mund të them më tepër, sepse ata i dinë mirë gjërat dhe duhet të jesh në brendësi që të flasësh me objektivitet. Thjesht prisja më shumë në ndeshjet europiane.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"