Begeja rrëfen problemet e Besës: Nuk jemi Barcelona që ka 30 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 14:24

Begeja rrëfen problemet e Besës: Nuk jemi Barcelona që ka 30 lojtarë

Në dy sfidat e fun dit, me Bylisin në Kavajë dhe Orikumin në transfertë, te Besa nuk u aktivizuan si Koldashi ashtu edhe Onuh. Të dy lojtarët janë të dëmtuar, shto këtu edhe Agalliun, i cili pritet t’i mungojë gjatë Besës, pasi dëmtimi i tij është më serioz. Në këto kushte, ndërprerja e kampionatit shkon në interes të Besës e këtë fakt e pranon edhe vetë trajneri Begeja teksa shpreson në rikuperimin e Onuh dhe Koldashit.

begeja besa

Begeja

“E kam thënë edhe herë të tjera se grupi që drejtoj ka pasur disa dëmtime që vërtet na kanë kushtëzuar zgjedhjet në disa takime. Fillimisht, u dëmtua Krasniqi e më pas Agalliu që fatkeqësisht rezultoi dëmtim jo i lehtë. Pas vetëm një takimi në Berat, edhe Onuh u dëmtua. Ndërkohë, më parë ishte dëmtuar Koldashi. Besa nuk është Milani apo Barcelona që të ketë në përbërje 30 lojtarë, kështu që në disa ndeshje stoli ka qenë i kondicionuar nga mungesat. Në këto kushte, ndërprerja erdhi në momentin e duhur dhe stafi mjekësor po punon fort për të rikuperuar Onuh, por edhe Koldashin.

Po zhvillojmë dy seanca stërvitore në ditë, pasi siç e dini, shumica e ekipit që drejtoj janë lojtarë të rinj dhe jo vetëm përballojnë ngarkesat, por edhe kënaqen teksa zhvillojmë vrapime në bregdet, salla force e tjera”, thotë fillimisht Begeja. Verdhezinjtë pas pushimit rikthehen në Kavajë teksa do të presin Elbasanin që mbyll tabelën. Për Begenë është herët të flitet për këtë sfidë, por gjithsesi lëshon një apel për të besuarit e tij.

“Populli shqiptar e ka saktësuar më së miri me shprehjen klasike ‘I mbyturi të mbyt’ këtë pragndeshje. Vërtet Elbasani renditet i fundit, po nuk është se ekzistojnë diferenca të mëdha mes Elbasanit dhe ekipeve të tjera. Një ndeshje të mirë qëllon ta nxjerrë edhe ekipi i fundit. Në këtë kuptim, ua kam bërë të qartë lojtarëve se një ndeshje qoftë ajo edhe miqësore fitohet vetëm duke vrapuar, sakrifikuar kushdo ekip qoftë përballë. Çdo shenjë euforie shkon në dëmin tonë. Pastaj nuk është se Besa ka 30 pikë dhe do luajë për qejf, përkundrazi kemi lëshuar vendin e parë dhe pikët në fushën tonë nuk janë objektiv, por detyrim për të gjithë, duke nisur nga unë trajneri.

Javës që vjen do nisim përgatitjet pikërisht mbi këtë vlerësim maksimal dhe impenjim që duhet të ketë ekipi. Shpresoj që Onuh të jetë i gatshëm e po ashtu edhe Koldashi”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i Besës, Gentjan Begeja. Ndryshe nga sezonet e kaluara, Besa e ka nisur me objektiva të qarta këtë kampionat ku do të luftojë për rikthimin në Superiore. Me një trajner me eksperiencë si Gentjan Gegeja dhe një grup cilësor futbollistësh, Besa shpreson se do t’ia dalë me sukses që të sigurojë ngjitjen në elitë.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"