Befason klubi i Kategorisë së Parë, afron 2 futbollistë cilësorë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2019 | 21:54

Befason klubi i Kategorisë së Parë, afron 2 futbollistë cilësorë në merkato

Erzeni po përpiqet të ndërtojë një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm dhe këtë e vërtetojnë edhe lëvizjet e deritanishme të drejtuesve të këtij ekipi në merkato. Me shijakasit janë bashkuar tashmë dy lojtarë me peshë, si Ermir Rezi dhe Xhynejt Çutra.

Erzeni

Janë lojtarë që në Kategorinë e Parë mund të bëjnë diferencën dhe që mund t’i japin Erzenit portretin e një pretendenti serioz për elitën. I pyetur për gjendjen e skuadrës dhe lëvizjet në merkato, drejtori sportiv i Erzenit, Altin Keçi, për “Panorama Sport” shprehet:

“Ne kemi 3 javë që kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri. Për ne është shumë e rëndësishme të ndërtojmë një skuadër ndryshe nga sezoni i kaluar, ndaj dhe jemi përpjekur të afrojmë sa më shumë lojtarë cilësorë. Kemi marrë disa të huaj me kualitet si Dikson, Davidson dhe Xhixhiua, si dhe lojtarë të tjerë si Biba dhe Zuna.

Kemi mbajtur disa lojtarë me kualitet të sezonit të kaluar, siç janë Vata, Teqja, Rramilli, R.Troplini etj., por “qershia mbi tortë” janë dy afrimet e fundit. Kemi arritur marrëveshjen me dy futbollistë me emër, siç janë Ermir Rezi, i cili rikthehet tek Erzeni pas 3 sezoneve te Kamza, si dhe Xhynejt Çutra, një mesfushor i ardhur nga Kastrioti. Janë të dy lojtarë me përvojë, që Erzenit do t’i bëjnë shumë punë, duke krijuar një ‘ansambël’ cilësor.

Me këto lëvizje mund të themi me bindje se Erzeni patjetër ka synime serioze për të qenë kandidat kryesor për Superioren në Grupin A. Por nuk mbyllet me kaq, sepse në javët në vazhdim mund të kemi afrime të tjera për ato pozicione, ku trajneri Begeja mendon se duhet ndërhyrë”.

Fiqiri Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"