Befason AF Elbasani, arrijnë akordin me liderin e Lushnjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2022 | 14:29

Befason AF Elbasani, arrijnë akordin me liderin e Lushnjes

Akademia e Futbollit Elbasani ka bërë goditjen e radhës në merkato.

mone

Klubi e ka marrë më shumë se seriozisht misionin që i ka vënë vetes, ndaj ka afruar një tjetër lojtar me eksperiencë në radhët e veta.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verdheblu pohojnë se është arritur marrëveshja me Arbër Monen.

Mbrojtësi 34- vjeçar do të mbrojë për këtë sezon ngjyrat e kësaj skuadre, pas pesë sezonesh të luajtura me ekipin e Lushnjës në Kategorinë e Parë dhe në Superiore.

Fieraku më herët ka milituar edhe në radhët e Apolonisë, Tërbunit apo Bylisit, duke pasur një eksperiencë të madhe mbi supe dhe e njeh mirë kampionatin shqiptar.

Mone i bashkohet kështu “armatës” së lojtarëve të tjerë që do të ketë këtë sezon në dispozicion Gentian Stojku, me një merkato që ka tejkaluar pritshmëritë për një skuadër që militon në Kategorinë e Dytë, me emra lojtarësh cilësorë.

Me afrimet e fundit, thuajse të gjitha repartet janë të dubluara dhe AF Elbasani po përgatitet që të përballojë një kampionat të gjatë e të vështirë në Kategorinë e Dytë.

Burimet pohojnë se merkaton nuk e konsiderojnë ende të mbyllur dhe se deri në fund të saj do të tentojnë të tjerë lojtarë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"