Befasi në Pogradec, Abazaj merr vendin e Fetollarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2019 | 23:04

Befasi në Pogradec, Abazaj merr vendin e Fetollarit

Drejtues të rinj, staf i ri teknik. Është diçka që ndodh rëndom në vendin tonë dhe i fundit që e ka vuajtur ndryshimin në stol për shkak se presidencën e ka marrë kryebashkiaku i ri, është Pogradeci.

festim fetollari

Festim Fetollari, nga dje nuk është më trajner i Pogradecit. Vendin e tij e ka marrë Ardian Abazaj, i cili e ka drejtuar edhe më parë ekipin liqenor. Një lëvizje e befasishme kjo, duke ditur që për pak kohë fillon kampionati i ri dhe gjatë gjithë kësaj periudhe Pogradeci është stërvitur nga Fetollari, i cili ka ndërtuar edhe skuadrën.

Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport” nga vetë trajneri i larguar, Festim Fetollari, i cili bën me dije se bashkë me të është larguar edhe ndihmësi i tij, Kopi Çerepi. Sado që ai nuk ka dashur t’i japë ngjyrim politik kësaj lëvizjeje, kuptohet qartë se një ndikim i tillë është i pashmangshëm, nëse kemi parasysh situatën. Bashkia e Pogradecit drejtohej më parë nga një kryebashkiak i djathtë, ndërsa tani nga e majta. Kryebashkiaku i ri i këtij qytetit, Ilir Xhakolli, është njëkohësisht edhe presidenti i Pogradecit. Përveç stafit teknik, te Pogradeci pritet të ketë ndryshime edhe në strukturat drejtuese, ku pritet të jetë një emër shumë i njohur, Ylli Çekiçi.

FETOLLARI – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri i larguar, Festim Fetollari, ka pohuar me qetësi se vendimi është një preferencë e drejtuesve të rinj: “Nuk ka lidhje politika. Puna e ne trajnerëve kështu është, 3 muaj në një ekip, pastaj 6 muaj ose më shumë në një tjetër. Drejtuesit e rinj të ekipit kanë pasur preferencat e tyre sa i takon stafit teknik të Pogradecit. Kjo është e gjitha dhe unë me stafin tim nuk jemi më në stolin e këtij ekipi. Nuk kam çfarë të them më shumë, nuk dua që kjo çështje të përzihet me politikën. Sot janë këta drejtues dhe zgjedhin stafin e tyre, nesër mund të jenë të tjerë dhe po ashtu ata do të kenë stafin e tyre”, është shprehur ish-mesfushori pogradecar.

Nga sot, drejtimin e skuadrës do ta marrë trajneri i ri, Ardian Abazaj, i cili rikthehet në krye të Pogradecit me stafin e tij. Liqenorët pritet të kenë pretendime serioze për sezonin e ardhshëm.

ardian abazaj

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"