“Bajern-Dortmund ndeshje titulli”, Mateus: Borusia me fat që ka Halandin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 20:30

“Bajern-Dortmund ndeshje titulli”, Mateus: Borusia me fat që ka Halandin

Eksperti i “Sky”-it, Lotar Mateus, shkruan në komentin e tij të përjavshëm për supersfidën që do të luhet në fundjavë mes Borusias së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut. Ai nuk shmangu dhe krahasimin mes Halandit dhe Levandovskit që do të ndeshen të shtunën kundër njëri-tjetrit në një duel që premton spektakël.

Mateus

“Lufta për vendin e parë! Dortmundi kundër Bajernit. “Klasikja” elektrizon shumë tifozë të futbollit anë e mbanë botës. E bukura e sfidës që do të luhet të shtunën qëndron te fakti që luajnë për vendin e parë, i cili për momentin mbahet nga Bajerni me vetëm 2 pikë më shumë. Si gjithmonë, ky duel vjen së bashku me atë të dy bomberave respektivë, si dhe dy lojtarëve më kyç. Erling Haland kundër Robert Levandovskit dhe Marko Rojs kundër Tomas Myler”.

SKUADRAT, JO NË FORMËN OPTIMALE
“Të dyja skuadrat nuk janë momentalisht në formën e tyre më të mirë sportive. Bajerni humbi në Augbsburg dhe ndaj Bilefeldit fitoi vetëm me një gol. Dortmundi në krahun tjetër u eliminua nga Champions-i duke zhgënjyer tifozët e shumtë që ka. Forma e bavarezëve mund të justifikohet me faktin që në klub COVID-i ka shpërthyer masivisht duke krijuar një situatë kaotike në stërvitje. Por, edhe Borusias i është dashur në javët e fundit të bëjë pa shumë titullarë për shkak të dëmtimeve. Fati i madh i verdhezinjve është fakti që Erling Haland u rikthye në kohë për “Klasiken”.

Norvegjezi shënoi që në ndeshjen e parë pas dëmtimit duke na treguar se sa i rëndësishëm është ai për skuadrën. Borusia ka fituar në javët e fundit ndaj kundërshtarëve me të cilët gjithmonë është mundur në vitet e fundit. Kjo tregon qartë që Marko Rose punon shumë mirë për vazhdimësinë, diçka që i ka munguar klubit në vitet e fundit kur trajner ishte Lusien Favre”.

BAJERNI NUK GJEN QETËSI, BORUSIA SHPRESON TE TIFOZËT
“Bajerni nuk ka gjetur qetësinë vetëm për shkak të COVID-it. Asambleja vjetore e klubit bavarez nxori zbuluar dhe krizën që drejtuesit kanë më njëri-tjetrin, mjafton të dëgjoje vërshëllimat në fund ndaj presidentit Hainer për të kuptuar gjendjen e tensionuar. Bajerni është me fat që në skuadër ka një trajner të madh si Julian Nagelsman që edhe pse nuk ka fituar ende asgjë, premton shumë për të ardhmen.

Por, trajneri është duke punuar në kushte të ftohta dhe kjo mund t’ia bëjë të vështirë mbrojtjen e titullit. Borusia, që të shtunën do të luajë përballë 67.500 tifozëve, ka një motiv më shumë për të fituar. Me një publik të tillë mbas shpine është e vështirë të humbasësh, por dhe e vështirë të fitosh. Këtë herë “Klasikja” vlen më shumë se ç’mund të pranohet nga të dyja klubet, është ndeshje titulli”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"