Batuta tek Elbasani, ekipi i kërkon trajnerit të “federohet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2019 | 17:29

Batuta tek Elbasani, ekipi i kërkon trajnerit të “federohet”

Pavarësisht se Elbasani ka shumë halle këtë sezon, sepse ende nuk ka bërë afrimet që kërkon në merkato, sërish optimizmi nuk mungon në skuadër. Në seancat stërvitore të verdhebluve nuk mungojnë batutat, me trajnerin Lleshanaku që hera-herës i bashkohet skuadrës dhe luan me të në fushë.

Elbasani

Kjo vjen edhe për faktin se tekniku mendon se kur integrohet vetë në lojë, arrin t’i shpjegojë edhe më mirë ushtrimet për skuadrën, për më tepër kur ke të bësh me lojtarë të rinj. Trajneri i Elbasanit merr pjesë njësoj si lojtarët në ushtrimet që aplikon apo edhe në ndeshjet brenda grupit, duke i shpjeguar edhe në praktikë grupit si të bëjnë murin apo pasimin në situata të caktuara.

Leshanaku Elbasani

Sigurisht, mosha e re ia jep këtë mundësi trajnerit Lleshanaku, i cili ka kërkuar gjithashtu ta lehtësojë paksa skuadrën këto ditë, duke qenë se ka pasur shumë ngarkesa fizike gjatë kësaj periudhe. Nuk kanë munguar batutat nga lojtarët, të cilët i kanë kërkuar trajnerit të vendosë edhe emrin e tij në listën e federimeve për sezonin e ri.

Të paktën në Elbasan nuk mungon harmonia dhe optimizmi, elementë të rëndësishëm për një skuadër futbolli. Verdheblutë kanë programuar për sot një test miqësor me ekipin e Sopotit.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"