Batuta e Robenit: Na dinin pleq, por e pësuan keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2017 | 16:56

Batuta e Robenit: Na dinin pleq, por e pësuan keq

Arjen Roben ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores spektakolare ndaj Arsenalit. Gjatë një interviste për “spox”, 33-vjeçari holandez bën humor me anglezët, Lahmin dhe stilin e tij karakteristik të shënimit.

Roben

Roben, mendoni se pas fitores 5-1 jeni të kualifikuar në çerekfinale?

Natyrisht një humbje 5-1 është rezultat skualifikimi. Megjithatë, na mbeten edhe 90 minuta pas tri javësh.

Pas barazimit 1-1, loja ishte disi e lëkundur. Çfarë ndodhi në ato 10 minuta?

Pas një mbrëmjeje të tillë, nuk ka vend për kritikë. Atë që dhamë në fushë ishte e jashtëzakonshme. Vetëm penalltia na penalizoi, pasi ua dhuruam. Reagimi pas grushtimit të Nojerit duhet të ishte më i qartë. Pavarësisht këtij episodi, ne bëmë ligjin në fushë.

Si ishte Karlo Ançeloti në pushimin e ndeshjes. I qetë?

Po, shumë i qetë. Aspak emocional. Ne lojtarët ishim disi të zhgënjyer dhe nervozë nga goli i barazimit. Një gol në transfertë në Champions të kushton shtrenjtë. Trajneri na tha në pushim se duhet të krosonim shpesh dhe goli i avantazhit erdhi nga krosimi i Lahmit. Në pjesën e parë dhamë shumë pak krosime.

Ishte një fitore për të ngritur moralin?

Unë kam shtatë vjet e gjysmë në Mynih dhe kur i kemi vënë qëllim vetes të bëjmë ndeshje të madhe ia kemi arritur. U surprizova edhe vetë me paraqitjen. Nuk e kisha menduar kështu, duke u bazuar që loja jonë nuk ka qenë në nivele të larta këtë vit. Ka të bëjë edhe me lojën e kundërshtarit. Nuk luajtëm përballë një ekipi që mbrohet me 5 lojtarë. Nëpërmjet katërkëndëshit mbrojtës patëm shumë hapësira boshe. I përdorëm dhe ofruam futboll të bukur.

E qarkulluat shumë topin dhe krijuat shumë shanse. Ju ngjasonte ndopak me futbollin e Guardiolës?

Nuk ishte vetëm qarkullim topi. Ne krijuam më shumë aksione se kundërshtari. Synimi ynë është të kalonim sa më shpejt me top në sulm dhe të krijonim shanse. Këtë stil nuk e integron vetëm Guardiola.

Roben

Si e përshkruani golin tuaj karakteristik?

Përderisa vazhdon të funksionojë, nuk kam pse ta ndryshoj. Është specialiteti im.

Si e shpjegoni faktin që Arsenali ju la shumë hapësira në krahun tuaj, duke mos ju marrë seriozisht?

Nuk e di pse. Ndoshta na nënvlerësuan nga mosha bashkë me Lahmin. Ju jemi dukur pleq (qesh). Në pjesën e dytë qesha disa herë me Lahmin, ngaqë pati vrapuar shumë dhe mezi po merrte frymë. Më tha se nuk jemi më të rinj. E shijoj ndeshjen përkrah tij. Kemi shumë kohë që luajmë dhe kuptohemi shumë mirë. Ndonjëherë nuk e shoh fare se ku ndodhet, pasi e nuhas me instinkt.

Çfarë ju mbeti në mendje nga kjo ndeshje?

Dhuruam futboll të bukur. Pa dyshim, goli im dhe asisti me finte i Levës.

Tomas Myler rikthehet te goli. Ishte ky goli i qetësisë absolute te Bajerni?

U gëzova shumë për golin e tij. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për mua. Më pëlqen ta kem në fushë, edhe nëse nuk shënon.

Ju befasoi humbja 0-4 e Barcelonës në Paris?

Ishte një paralajmërim. Nëse nuk je i bashkuar si ekip dhe nuk ke rregullsi në lojë, me siguri lindin problemet dhe nuk ka rëndësi aspak sesa yje futbolli ke në skuadër. U duk qartë që PSG-ja është ekip i fortë dhe njëkohësisht një nga favoritët për ta fituar Champions-in.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"