Batuta drejt interistit Vangjeli, Xhixhën e tradhtojnë nervat/ Presidenti Hasanbelliu ngacmon Ramën: Je tifoz i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 21:58

Batuta drejt interistit Vangjeli, Xhixhën e tradhtojnë nervat/ Presidenti Hasanbelliu ngacmon Ramën: Je tifoz i Tiranës

Tirana nuk arriti të fi tonte titullin as këtë javë, në përballjen me kampionët në fuqi të Superiores, Teutën e Durrësit. Kjo gjë solli edhe një tension të akumuluar gjatë sfidës, që në fund edhe shpërtheu në kontestime të forta, kjo edhe për shkak të vendimeve nga gjyqtari Alla.

Pikante Tirana-Teuta logo

Në TV u pa loja brenda në fushë, por se çfarë ndodhi në shkallët e stadiumit dhe momentet më pikante, “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.

* Një surprizë në fakt ishte edhe prania e drejtorit sportiv të Partizanit, Olsi Rama. Vëllai i kryeministrit të vendit, nën shoqërinë e disa personave, kishte vendosur të ndiqte nga afër Tiranën, që mund të shpallej edhe kampion. Madje, në pushim pati edhe disa shkëmbime batutash mes tij dhe Edmond Hasanbelliut: “O president, o president”, i thërret Olsi Rama.

Ndërkohë që presidenti i Durrësit i kthehet: “Hë mo, je gjë tifoz me Tiranën?”, duke qeshur. E veçanta tjetër ishte se në tribunën e stadiumit ishte edhe trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, po jo në shoqërinë e drejtorit. Ai kishte ardhur të ndiqte nga afër Tiranën, me të cilën do të përballet në fundjavë.

* Atmosfera jashtë dhe brenda stadiumit ishte disi e vakët në fillim, kjo ndoshta për shkak edhe të orarit, por me kalimin e minutave në stadium ishin të pranishëm rreth 2000 tifozë.

* Takime mes shokësh mes dy skuadrave, Jahmir Hyka takohet me Ilion Likën, shok skuadre te Tirana shumë vite më parë, por edhe trajnerin Shehi, të cilin e ka pasur shok ekipi në Kombëtare. Ndërkohë që takim special ishte edhe ai i dy trajnerëve, Renato Arapit dhe Orges Shehit, për shumë vite shokë ekipi.

* Ndërkohë që sfida sapo fillonte, një tifoz ia merr këngës: “O Shijak me halle, çe bone o Zot” dhe mbrapa i drejtohet Shehit: “O durrsako, ta honksha zemrën!”

* Në tribunën VIP, të dy presidentët të pranishëm, por gjithashtu edhe Sulejman Starova, po ndiqnin ndeshjen bashkë.

* Në tokë Asion Daja, nuk ka faull nga Alla dhe loja nuk ndalohet, ndërsa Tirana del në kundërsulm, mesfushori ngrihet dhe i fut një sprint.

* Seferi shihet i nervozuar që në fillim, pasi pretendon se topi nuk po i pasohet aty ku ai e kërkon.

* Shihet një duel i fortë mes Dacit të Teutës dhe Najdovskit të Tiranës, që përplasen disa herë fort me njëri-tjetrin.

* Shehi hera e parë që replikon me gjyqtarin: “O Laver, e shef apo se shef?”

* Ndërkohë që mbaron pjesa e parë e ndeshjes, personazhi i famshëm i tribunave, Tan Mezja, tifoz me Teutën dhe Milanin, ngacmon në distancë zëvendëstrajnerin e Tiranës, Kristi Vangjelin: “E hëngri Interi, e hëngri”, e ka për kampionatin në Itali dhe Vangjelin që me sa duket, është tifoz i Interit.

* Një moment pasigurie i Visar Bekajt me këmbë dhe pason rrezikshëm. Shehi i tërheq vëmendjen menjëherë: “Hape në krahun tjetër topin Visar”. Bekaj i ngreh dorën lart si shenjë për të kërkuar falje.

* Teksa Teuta do të ekzekutonte një goditje dënimi afër zonës, mbrojtësi Përgjoni nuk ishte vendosur ku duhet dhe i gjithë stafi i Tiranës i bërtiste. “Në shtyllë të parë Përgjon, përpara atij”, ishin thirrjet e vazhdueshme. Më pas rrezikun e evitoi Bekaj.

* Gruda i Teutës shkon pranë fundores dhe kroson keq duke e nxjerrë topin jashtë. I nervozuar kthehet dhe godet me këmbë flamurin e këndit.

* Pas sinjalizimit të një faulli për Teutën, Visar Bekaj proteston ashpër te Laver Alla dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

* Arapi hidhet përpjetë me Kotobellin që humb një top të panevojshëm.

* Xhixha shkakton faull, sipas kryesorit, dhe nervozizmi i lojtarit shkon deri aty sa godet topin me nerva. Për fat të keq, ai top kap Laver Allën, që nuk e fal dhe e ndëshkon sulmuesin me karton të kuq.

* Me rënien e bilbilit, protesta të shumta nga ana e lojtarëve të Tiranës drejt kryesorit të takimit. Bekaj, Totre dhe Seferi protestojnë ashpër dhe duhet ndërhyrja e “security” dhe policisë për të larguar arbitrat drejt dhomës së zhveshjes. Në momentin e futjes në tunel, një mori shishesh fluturojnë drejt gjyqtarëve.

* Pasi dalin nga dhoma e zhveshjes, lojtarët e Tiranës shihen tepër të mërzitur nga situata e krijuar dhe mosshpallja kampion që dje.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"