Batuta dhe paralajmërime, Idrizi: Flamurtari do shpërthejë kur të nisë edhe… shiu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2017 | 15:14

Batuta dhe paralajmërime, Idrizi: Flamurtari do shpërthejë kur të nisë edhe… shiu

Sinan Idrizi kërkon nga Flamurtari vlerësim maksimal të çdo takimi. Pas fitores së parë të arritur ndaj Lushnjës në fushën asnjanëse të Ballshit, administratori i vlonjatëve është me këmbë në tokë, në një kohë që pret më shumë nga skuadra. Për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se rëndësi ka rezultati, mirëpo sipas tij nga ky Flamurtar pritet edhe një lojë më bindëse.

Idrizi dhe Duro

Kreu i klubit nuk lë pas as batutat, duke thënë se me ikjen e vapës, do të nisë edhe bereqeti për Flamurtarin. “Së pari, nuk bëj analizë të ndeshjes me Lushnjën, pasi siç e dini unë nuk jam ekspert në këtë fushë. Por, gjithsesi, Flamurtari do të shikohet në vazhdimësi. Për të arritur objektivat duhet që të ketë një përqendrim maksimal.

Ndeshjet duhet që të merren sipas radhës. Natyrisht që fitorja e një ndeshjeje, siç ndodhi edhe me Lushnjën, na kënaq, por unë e kam thënë edhe më parë që na duhet edhe loja. Na duhet për të kënaqur tifozët tanë, për t’i rikthyer ata sa më të shumtë në mbështetje.

IDRIZI

Unë kam bindjen se, me ikjen e kësaj vape të madhe të këtij viti dhe me nisjen e shiut, do të plotësojmë objektivat. Siç dihet, shiu është bereqet dhe kjo gjë vlen shumë edhe për ne si Flamurtar”, ka thënë fillimisht Idrizi për gazetën.

KARTONI I BICAJT – Ditmar Bicaj e la Flamurtarin me 10 lojtarë në ndeshjen me Lushnjën, për shkak të kartonit të kuq që mori në pjesën e parë. Administratori Idrizi nuk pranon ta komentojë këtë rast, por ka një apel për të gjithë lojtarët, të cilët, sipas tij, duhet të tregohen profesionistë të vërtetë.

bicaj

“Nuk kam asnjë koment për kartonin që mori Bicaj. Por, unë e kam thënë edhe më parë që lojtarët që ne kemi, janë profesionistë dhe duhet që të ruajnë qetësinë. Pra, mesazhi im është shumë i thjeshtë për të gjithë ekipin: tregohuni profesionistë në fushë, ashtu sikundër jeni. Ndërsa për rastin në fjalë të Bicajt, nuk dua të komentoj, për shkak se nuk jam në brendësi të asaj situate”, u shpreh Idrizi.

Flamurtari

OBJEKTIVI – Administratori komenton sërish objektivin që do të ketë Flamurtari këtë sezon. Idrizi bën të ditur se kërkon vetëm respektimin e fanellës. Por, administratori gjen rastin që t’i kthejë një përgjigje edhe ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, edhe pse nuk përmend emra, për shkak se ish-kryetari i bashkisë pak ditë më parë ironizoi fanellat e reja të ekipit.

flamurtari

Idrizi i ka cilësuar këto deklarata të bëra nga një grup të pacipësh. “Objektivi për mua është dhe mbetet, respekt për fanellën. Respekt për atë fanellë që një grup të pacipësh gjejnë kohën ta ironizojnë.

flamurtari1

Sido që të jetë, sado e bukur apo e shëmtuar ajo, të gjithë kanë dhënë mundin dhe djersën e tyre për këtë fanellë. Për ata që nuk e ndiejnë, është problemi i tyre”, përfundon administratori, i cili pret që minimalisht Flamurtari të kapë Kupat e Europës.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"