Batuta, analizë dhe elozhe për trajnerin Daja, rrëfehet Krasniqi: Partizani është për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 22:59

Batuta, analizë dhe elozhe për trajnerin Daja, rrëfehet Krasniqi: Partizani është për titull

Ish-mbrojtësi i Partizan it, tashmë pjesë e Egnatias, Gëzim Krasniqi, ka folur për “Panorama Sport”, ku ka treguar se si e sheh sezonin e “demave të kuq”, duke thënë se të besuarit e Dajës janë pretendentë për titullin kampion. Gjithashtu, Krasniqi eliminoi Kukësin nga lista e pretendentëve, si dhe në fund e mbylli me një batutë, duke thënë se shpreson që Daja të qëndrojë gjatë në krye të Partizanit, në mënyrë që ta mposhtë në sezonin e ardhshëm në Superiore me Egnatian e tij.

Krasniqi-470x334

Partizani e ka nisur mirë këtë sezon, duke marrë dy fitore në tri sfidat e para. Si e parashikoni sezonin e “demave”?

Partizani çdo sezon ka pasur organikë të mirë, skuadër të plotë. Pavarësisht pamundësisë për t’u përforcuar në merkato, Partizanin e shikoj pretendent për titull, pa lënë pas Tiranën, Teutën, Laçin, që kanë bërë skuadra të mira.

Shumë e rëndësishme ishte ajo fitore ndaj Kukësit ndeshjen e shkuar, një ekip rival. A ishte ky triumf një mesazh që Partizani është për titull këtë sezon?

Partizani mundi Kukësin se ishte më mirë në çdo aspekt. Kukësin nuk e shikoj për titull dhe pretendent këtë sezon, pasi kanë mbetur vetëm tre lojtarë nga sezoni i shkuar kur Kukësi ishte nënkampion. Nuk mund të pretendosh me skuadër të re, pasi u duhet kohë të përshtaten me njëri-tjetrin. Ata zhvilluan dy përballje të forta dhe pësuan dy humbje.

Merkatoja e Partizanit ishte e bllokuar dhe nga kjo gjë po vuan më shumë reparti i prapavijës, ku Daja ka shumë pak alternativa. Do të ndikojë kjo gjë gjatë sezonit?

Daja di si ta qëndisë skuadrën edhe kur ka probleme, prandaj nuk besoj se Partizani do të ketë shumë probleme gjatë këtij sezoni.

Krasniqi Partizani

Duke e ditur që ju e njihni mirë rolin e qendërmbrojtësit, si ju duket dyshja Belica-Bitri?

Belica-Bitri janë dyshe e fortë, kombinojnë mirë, vetëm se do të kenë shumë punë deri në fund të sezonit. Shpresoj që t’u shkojë viti pa dëmtime dhe të ndihmojnë skuadrën.

Si ish i dy skuadrave, si ju duk përballja mes Kukësit dhe Partizanit?

Partizani kishte më shumë dëshirë për ta fituar ndeshjen sesa Kukësi. Unë personalisht e kisha parashikuar një fitore të Partizanit. Mendoni se trajneri Daja, pavarësisht se nuk ka kontigjentin që do të dëshironte, do të jetë i suksesshëm në krye të kuqve këtë sezon? Daja s’do ta ketë të lehtë, por i uroj suksese. Kam besim se ai do jetë i suksesshëm dhe uroj të qëndrojë gjatë te Partizani, që sezonin tjetër ta mund me Egnatian në Superligë.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"