Batha: Nëse fitojmë ndaj Kukësit, jemi 90% kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 10:39

Batha: Nëse fitojmë ndaj Kukësit, jemi 90% kampionë

“Ne e trajtuam dhe e luajtëm këtë ndeshje vetëm për të marrë trepikëshin, jo si derbi dhe aq më pak si finale. Ishte një duel që vlente vetëm për të marrë maksimumin”, kështu e nisi deklaratën Idriz Batha për mediat. Lojtari e thotë hapur se kjo ndeshje nuk u trajtua kurrsesi si derbi, por vetëm si ndeshje trepikëshi.

batha

Loja e mirë mungoi, në fund ata i gëzohen faktit që janë në krye. Edhe pse Ilion Lika i gjeti krahun, mesfushori nuk gaboi dhe i dha barazimin e artë Partizanit. Edhe pse nuk e mban mend, ai festoi në një lloj forme duke iu kundërpërgjigjur tifozëve të Tiranës, duke mbajtur dorën në vesh.

“Nuk e mbaj mend fare se çfarë kam bërë në momentin e golit, të them të drejtën. Në ato momente e kisha mendjen te goli dhe sesi do të shkonte takimi. Nëse e kam bërë atë veprim, ndoshta kam dashur t’u tregoj tifozëve që mund të vazhdonin të shanin”, tregoi Batha.

E premtja dhe numri 13 mund të jenë të “zeza” për Tiranën, por kurrsesi për Partizanin. Ata sfidojnë çdolloj numri ato ditë, që nga supersticiozët mund të konsiderohen ters.

“Ne nuk kemi nevojë për asgjë. Ne shohim punën tonë, nuk merremi me këto detaje. Detyra është e thjeshtë: duhet të fitojmë, pasi vetëm kështu mund të jemi pranë titullit kampion”, u shpreh autori i shtatë golave me të kuqtë.

“Demat” nuk shkëlqyen, e megjithatë në fund nuk e diskutuan fitoren. Këtë e pranon edhe vetë Batha, ndërsa thotë: “Edhe kjo qëndron. Sigurisht nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por tani është fundkampionati. Lojtarët janë pak të lodhur. E rëndësishme është trepikëshi që morëm”.

Java e ardhshme rezervon një tjetër ndeshje, por këtë herë mund të thuhet pa frikë që luhet për titullin. “Gjithçka ishte për titullin dhe Kukësin. Takimi që kemi me kuksianët vendos shumë në fund. Nëse fitojmë, jemi me 90 për qind kampionë. Pas kësaj fitoreje, që hynte te ndeshjet e vështira, ne jemi shumë pranë titullit, i cili na mungon prej 24 vitesh. Besoj se sot kemi mundësinë më të madhe për t’u shpallur kampionë”, përfundoi zv.kapiteni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"