Batha kundër së shkuarës: Ja çfarë do të bëj po shënova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 16:10

Batha kundër së shkuarës: Ja çfarë do të bëj po shënova

Idriz Batha është gati për t’u përballur me të shkuarën. Katër sezone me Partizanin nuk janë pak dhe sidomos kur ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. E pranon që është një ndeshje ndryshe, megjithatë si një profesionist i vërtetë e thotë hapur që do vetëm fitoren. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori i bën analizën kësaj pragsfide dhe hapur e thotë që në rast se do të gjejë rrjetën, nuk ka në plan që të festojë. Kundërshtarë do të ketë Trashin dhe Hoxhën, dy nga miqtë më të mirë, e megjithatë i paralajmëron se sot do t’i mposhtë…

Batha

Riktheheni në kryeqytet, por me statusin e ish-it. Si ndihet Batha para Partizanit? 

Është ndeshje më shumë se e veçantë për mua. Kam kaluar shumë vite te Partizani. Normalisht që është ndryshe nga ndeshjet e tjera. Por, unë mendoj se tani jam në një skuadër tjetër dhe duhet që të japë maksimumin për skuadrën që paguhem.

Keni pikavarazh të njëjtë me kundërshtarin, por a mendoni se mund të jeni ju  favoritët në këtë duel?

Shpresojmë që ta fitojmë ne në këtë ndeshje. Janë të gjitha shanset dhe mundësitë që t’ia dalim.

Batha ka kaluar 4 vite te Partizani dhe madje ka qenë kapiten, sa ju emocionon ky duel?

Nuk mund të them se kam ndonjë emocion të veçantë. Por është thjesht ndjesia që luan kundër atij ekipi që ke kaq vjet që ke qenë pjesë e tij. Unë kam shumë vite që luaj futboll në Superiore dhe i kam kaluar këto çështjet emotive.

Keni qenë një ndër lojtarët më të dashur të tifozëve, madje herë-herë cilësoheshit si “Guerrils”-it brenda ekipit… 

Është e vërtetë që me tifozët e Partizanit kemi kaluar shumë emocione të mira dhe të këqija së bashku. Por tani kanë mbaruar. Sigurisht që respekti është maksimal për ata. Duhet pranuar që në futboll ndodh edhe kjo, ndaj tani jam tërësisht i fokusuar te Flamurtari.

Nëse do të shënoni ndaj Partizanit, si do veproni?

Sigurisht që nuk do të festoj.

I ruani kontaktet me futbollistët e Partizanit? 

Po, patjetër që po. Me disa nga shokët e ekipit ku kam luajtur, i mbaj kontaktet. Kemi marrëdhënie shumë të mira. Flasim edhe takohemi akoma.

Po para këtij 90-minutëshi a keni folur? 

Të jem i sinqertë, këto ditë nuk kam komunikuar me asnjë. Nuk kemi pasur asnjë bisedë para kësaj ndeshje.

Me cilin ruani marrëdhënie më të mira? 

Të them të drejtën me Lorenc Trashin dhe me Alban Hoxhën kam më shumë marrëdhënie të mira. Edhe kur kam qenë atje, me ata kam pasur më shumë afrimitet.

Për çfarë luhet ky 90- minutësh, Flamurtari dhe Partizani a janë rivale për titullin kampion? 

Mendoj se edhe Flamurtari dhe Partizani do të jenë dy ekipe që do të jenë rivale për titull deri në fund.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"