Batha i bën presion Kukësit: Vendi i dytë është i yni, jemi ekip me emër të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 15:26

Batha i bën presion Kukësit: Vendi i dytë është i yni, jemi ekip me emër të madh

Kapiteni i Partizan it, Idriz Batha, në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, deklaroi se skuadra është në rrugë të mbarë. Indirekt Batha i bën presion Kukësit, pasi sipas tij Partizani i ka të gjitha mundësitë për të zënë vendin e dytë. Ai sqaroi edhe penalltinë e pretenduar nga kamzalinjtë, si dhe tregon ndryshimin e Partizanit pas largimit të Starovës dhe përparësitë e Dalipit.

Batha

Keni mbyllur fazën e tretë me një fitore në Kamzë. Sa i rëndësishëm është ky trepikësh për objektivin që ka klubi?

Është një fitore shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha shumë e vështirë për t’u arritur. E prisnim këtë sukses, pasi në javët e fundit ekipi ka treguar një formë të mirë. Kemi luajtur mirë, ndaj edhe rezultatet nuk na kanë munguar. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu dhe të realizojmë objektivin.

Duke parë statistikat e javëve të fundit, ku nuk pësoni në katër ndeshje radhazi, duket se po kthehet mbrojtja solide e sezoneve të fundit. A përbën një siguri më shumë kjo për ju si ekip?

Shpresojmë të shkojmë si ai Partizani i sezonit të kaluar dhe nuk na mungon asgjë për ta bërë sërish atë gjë, madje edhe më mirë. Të gjithë mbrojtësit po luajnë goxha mirë dhe po na japin siguri. Nuk ka qenë nevoja që ne të tërhiqemi mbrapa. Kjo na bën të jemi më afër portës dhe ta mbajmë në presion kundërshtarin.

Si kapiten, a jeni i kënaqur me lojën që po zhvillon Partizani?

Derisa rezultatet po vijnë, sigurisht që jam i kënaqur me lojën e skuadrës. Sa i përket ndeshjes me Kamzën, jam i kënaqur me rezultatin, pasi u bë një lojë e luftuar. Nuk pritej ndonjë lojë e bukur në këtë derbi. Gjithsesi, fitorja ka shumë rëndësi.

U duk se bari i fushës ishte pak i gjatë, a ndikoi terreni?

Vërtet bari i fushës ishte pak i gjatë, por nuk ndikoi terreni, pasi të lejonte të luaje futboll.

Kamza pretendoi për një penallti, në rastin ku ju e larguat topin nga zona. A e prekët me dorë topin e gjuajtur nga Zguro?

Jo, nuk ishte penallti. E preka me vesh dhe jo me dorë.

Jeni barazuar me pikë me Laçin dhe ndeshja e radhës është ndaj tyre. E shikoni këtë duel si një sfidë për vendin e tretë?

Kamzën e kaluam me sukses dhe që nga ky moment duhet të mendojmë për Laçin. Sigurisht, na pret një ndeshje e vështirë, pasi Laçi e ka treguar se është një ekip i fortë, aq më shumë në ndeshjet direkte me Partizanin. Gjithsesi, ne mbetemi ekipi me emrin e madh dhe normalisht do të synojmë fitoren.

Trajneri Dalipi ka pohuar se pas dënimit të Skënderbeut, Partizani do të luftojë për vendin e dytë për të shkuar në Champions. Ndonëse Kukësi ka distancë me ju, e mendoni të arritshëm këtë objektiv?

Përderisa janë edhe nëntë ndeshje për t’u luajtur, si dhe kemi ndeshje direkte me Kukësin, normalisht edhe ky objektiv është i arritshëm.

Çfarë ka ndryshuar në ekip pas largimit të Starovës?

Për të thënë të vërtetën është i njëjti ekip që luante me Starovën. Dalipi ka më shumë dëshirë. Kjo ka ndikuar më mirë për lojtarët. Të gjithë e kanë larguar presionin. Dalipi po tregon që është një trajner i mirë dhe ka vlera.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"