Batha besimplotë: Pas pikës në Durrës, mundim Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 20:44

Batha besimplotë: Pas pikës në Durrës, mundim Kukësin

Idriz Batha analizon Flamurtarin në nisje të sezonit të ri futbollistik. Ish-kapiteni i Partizanit u bë pjesë e vlonjatëve gjatë merkatos së kësaj vere. Në një prononcim të dhënë për mediat para ndeshjes së javës së dytë, por e para që do të luhet përballë tifozërisë vlonjate, Batha tha se në premierën me Teutën kishte vështirësi. Sipas lojtarit, nga transferta e Durrësit duhet me u kënaqur edhe me një pikë, pasi humbja është ajo që dhemb më shumë. Për Bathën, barazimi me Teutën ishte një rezultat shumë pozitiv. “Ishte ndeshja e parë dhe si e tillë kishte vështirësitë e veta. Edhe me një pikë jemi të kënaqur, pasi kampionati është i gjatë. Humbja është ajo që të dhemb më shumë, kështu që një pikë mendoj që ishte një gjë pozitive në ndeshje me Teutën”, tha fillimisht Batha.

idriz batha

KUKËSI- Në prononcimin e dhënë, Batha ndalet edhe te ndeshja që do të luhet të dielën, ku Flamurtari do të presë Kukësin në Vlorë. Lojtari shpreson që në këtë ndeshje të bëhet më e mira nga Flamurtari. Batha e shikon si ndeshje të vështirë këtë takim, por jo të pamundur për t’u kaluar me sukses. Sipas tij, Flamurtari duhet që të futet në këtë ndeshje për ta fituar dhe për të marrë tri pikët. “Këtë javë shpresojmë që të bëjmë mirë me Kukësin. Është ndeshje e vështirë, por e kemi kontingjentin e duhur tani dhe jemi kompletuar si ekip. Shpresoj që të futemi në ritmin e duhur dhe ta fitojmë këtë ndeshje”, u shpreh Batha.

FLAMURTARI- Për Idriz Bathën, ardhja te Flamurtari është një eksperiencë e veçantë. Batha thotë se ishte mësuar te Partizani për shkak se pati një kohë shumë të gjatë aty. Por, tashmë e shikon si një eksperiencë të veçantë Flamurtarin dhe premton se do të japë maksimumin. “Është e vërtetë që është një eksperiencë e veçantë për mua te Flamurtari, pasi u mësova në një skuadër tjetër. Kalova një kohë të gjatë te Partizani. Por, jam i kënaqur në ekipin e ri që jam dhe falënderoj edhe stafin dhe gjithë shokët që janë në ekip. Premtoj se do të japë maksimumin me fanellën e Flamurtarit, këtij klubi të madh dhe me emër në futbollin shqiptar”, përfundon Batha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"