Bastoni i premton besnikëri klubit zikaltër: Ëndërr të fitoj me Interin, por fjalën “titull” Konte nuk e do

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 10:13

Bastoni i premton besnikëri klubit zikaltër: Ëndërr të fitoj me Interin, por fjalën “titull” Konte nuk e do

Alesandro Bastoni ka në mendje vetëm Interin. Një bindje e konsoliduar prej kohësh që ditë pas dite po bëhet më e fortë, në sezonin ku Antonio Konte po i shkon pranë fitores së titullit. “Gjendem shumë mirë këtu, jam i përqendruar te kjo skuadër. Ëndrra ime është të fitoj me Interin, ndihem mirë në Milano”, kanë qenë fjalët e para të mbrojtësit me vitlindje 1999 në një intervistë për “Sportmediaset”, ku ka komentuar momentin zikaltër dhe dëshirën e madhe për trofeun final.

bastoni

Jeni pranë objektivit…

Po kryejmë me siguri një rrugëtim të bukur, e dëshmojnë 11 fitoret radhazi. Mungon gjithmonë e më pak, po afrohemi, por deri në momentin kur matematika të jep konfirmimin duhet të luftojmë çdo të diel. Është absolutisht e ndalur fjala titull, trajneri na e përsërit në çdo mbledhje. Duhet të qëndrojmë të përqendruar, siç kemi bërë gjithmonë dhe duhet të vazhdojmë të bëjmë. Slogani ynë është të ulim kokën dhe të pedalojmë, kjo e ka karakterizuar projektin tonë të rritjes dhe duam të ecim kështu.

Konte ka besuar gjithmonë shumë te ju, ju ka dhënë gjithmonë siguri…

Kur u transferova këtu, mendoja të mos isha menjëherë në lartësinë e një skuadre kaq të rëndësishme, por trajneri më ka dhënë besim, kam ditur të shfrytëzoj më së miri shanset dhe jam rritur shumë edhe falë shokëve.

Me Shkriniarin dhe De Vrajin duhet të keni një raport të mirë. Cili është sekreti juaj?

Kompletohemi mirë, edhe raporti jashtë fushe është i rëndësishëm.

skriniar

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Napolit?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe e tregojnë fitoret e fundit të ngushta. Çdo kundërshtar kur përballet me ne, dëshiron të bëjë figurë të mirë. Napoli po lufton për Ligën e Kampioneve, ndaj pres një sfidë me siguri të bukur.

Europiani është pranë…

Objektivi im është të jem atje dhe të paraqitem mirë me Italinë. Kam ende disa ndeshje për të bindur Mançinin dhe shpresoj t’ia dal. Ndihem mirë këtu dhe ëndrra ime është të fitoj me Interin. Shpresoj t’u dhurojmë gëzim tifozëve tanë në këtë periudhë të vështirë.

Fitorja do të ishte shpërblimi i duhur pas një sezoni të vështirë?

Kanë qenë sezone të çuditshme si pasojë e pandemisë, dhënia e një gëzimi vetes sonë dhe tifozëve është objektivi numër një.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"