“Basti” i Taipit: Skënderbeu mbijeton, Memelli po na imponon grintë dhe dëshirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 19:28

“Basti” i Taipit: Skënderbeu mbijeton, Memelli po na imponon grintë dhe dëshirë

Ndeshja me Teutën është te dera dhe Skënderbeu po kërkon të rikthehet te pikët në një takim tepër delikat. Pas humbjeve radhazi dhe vendit të fundit në renditje, të besuarit e trajnerit Migen Memelli kërkojnë që të reagojnë për t’iu shkëputur fundit të renditjes.

Taipi

Për Shqiprim Taipin, situata është delikate dhe normalisht që kërkohet impenjimi maksimal i lojtarëve për të marrë maksimumin në një takim të vështirë. Përtej mungesave Taipi kërkon shmangien e një humbjeje për të kaluar këtë situatë të vështirë ku ekipi ka hyrë.

Taipi, situatë e vështirë kjo që po kaloni. A do të mundet t’ia dalë Skënderbeu në fund?

Kjo është një pyetje që unë do ta ndaja në dy pjesë. Ne nuk e kemi menduar asnjëherë rënien në një kategori më poshtë dhe për këtë duhet të jeni të sigurt se nuk do të ndodhë. Ndërsa pjesa e dytë: është e vërtetë që jemi duke kaluar një situatë të vështirë.

Kemi disa ndeshje që nuk po marrim atë që duhet dhe kjo na ka rënduar si ekip në aspektin psikologjik. Kemi një ngërç të madh, gjithmonë e fillojmë ndeshjen në ngjitje të një maloreje të fortë, pas golave të pësuar, dhe kjo është diçka që duhet shmangur. Por, të jeni të bindur që ky ekip ka cilësi dhe do të bëjë çmos për të arritur maksimumin në vijim.

Duket se mbrojtja nuk po funksionon si duhet me kaq shumë gola të pësuar. A është ky problemi i Skënderbeut?

Problemet janë të shumta, por nuk duhet ta shohim në këtë pjesë repartin e mbrojtjes si fajtorin apo përgjegjësin e vetëm. Nuk jemi mirë në bllok dhe kjo dihet. Një ekip i ndërtuar mirë mbron në grup dhe sulmon po ashtu. Mjafton të kthejmë kohën pas dhe të shohim se si luante ky ekip në vitet e shkuara. Problemet në mbrojtje vijnë nga mungesa e alternativave si rezultat i mungesave të shumta. Ndryshimet na kanë bërë që të jemi më të brishtë dhe kjo ndikon normalisht. Por, duhet të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Nuk ka më kohë për shfajësime dhe alibi. Secili duhet të marrë përsipër përgjegjësitë.

Nga ana tjetër, si ka ndikuar te ju ndryshimi i trajnerit?

Nuk ishte trajneri problemi ynë kryesor dhe këtë e dimë fort mirë. Ahmataj ka bërë një punë të mirë në ekip, por ishin rezultatet ato që e disfavorizuan.

Nuk ishte problemi i tij, pasi po i njëjti grup jemi. Me Memellin kemi më shumë grintë dhe na ka imponuar një dëshirë të madhe për të bërë mirë. Kërkon agresivitet dhe kjo është ajo që na mban të karikuar. Është ende shpejt për t’u parë puna e tij, pavarësisht se impenjimi dhe pasioni vlejnë shumë në këto kohë.

Teuta, kundërshtari i radhës. Një pikë vlen në Durrës?

Teuta është një ekip shumë i fortë që ka objektiva të ndryshëm me ne. Ka elementë cilësorë që mund të ndryshojnë një ndeshje. Por, ne duhet të japim maksimumin. Do të duhet që të përsërisim të njëjtën paraqitje të bërë në javën e parë të kampionatit ndaj Teutës. Ajo ka qenë një nga ndeshjet tona më të mira. Jam i bindur që nëse mbajmë këtë ritëm, ia dalim të arrijmë objektivat e vendosur.

Bylisi dhe Apolonia janë rivalët tuaj. Mendoni se keni më shumë se ta?

Po, pa dyshim. Për momentin janë ata rivalët tanë, por ne kemi shumë më shumë se ata. Historia dhe pesha e fanellës është shumë herë më e rëndë. Nuk duam të shohim rivalët në klasifikim. Për ne rivali është kundërshtari i radhës.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"