“Basti” i Neritan Novit: Do t’u prishim punë ballshiotëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 12:28

“Basti” i Neritan Novit: Do t’u prishim punë ballshiotëve

“Në Ballsh shkojmë për të marrë pikë. Do i prishim punë Bylisit”. Kështu u shpreh në bisedën për “Panorama Sport” trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi. Ditët e pakta në dispozicion për ndeshjen me Bylisin, të shoqëruara nga i nxehti i korrikut, nuk janë bërë pengesë për të parin e pankinës bluzi, që bashkë me lojtarët nuk ka se çfarë të humbë në këtë fundkampionati. Luftëtari e ka prerë biletën me kohë dhe tashmë skuadra do të kërkojë të bëjë mirë në javët e mbetura.
novi

“Në këto ditë të nxehta ekipi është stërvitur mirë dhe me dëshirë, pavarësisht temperaturave të larta. Në këto dy ndeshje të mbetura nuk do bëjmë mrekulli dhe çudira, por do luajmë denjësisht për të respektuar garën deri në fund. Nga lojtarët pres që të paraqitem mirë për të dhënë më të mirën në funksion të rezultatit pozitiv. Gjithçka do ia lëmë fushës”, theksoi Novi.
Futbollistet e Luftetarit
Në sfidën e sotme Luftëtari nuk do të ketë në dispozicion Enes Isufin e dëmtuar, Armenis Kukajn e larguar dhe Aldrit Oshafin, i cili është dënuar nga trajneri për thyerje të disiplinës. Qendërmbrojtësi Isufi vuan dëmtimin në krah, teksa në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut doli nga fusha në minutën e 42-të, pasi nxori klavikulën.

“Normalisht që do ketë ndryshime në formacion, pasi kemi mungesën e Isufit, që nuk do jetë në dy ndeshjet e fundit. E thashë që në fillim, ne do të shkojmë në Ballsh të luajmë futboll dhe për rezultat pozitiv. Edhe pse i kemi humbur të gjitha ndeshjet e kësaj faze, nuk do t’i tolerojmë dy ndeshjet e fundit. Do të respektojmë garën. Ne do kërkojmë të marrim maksimumin”, përfundoi Novi.

Ndërkohë, me seancën e pasdites së djeshme të zhvilluar në stadiumin “Gjirokastra”, bluzinjtë u dhanë dorën e fundit përgatitjeve anti-Bylis. Në këtë seancë trajneri Novi u fokusua më së shumti te pasimi i fundit dhe qarkullimi i shpejtë i topit. Në fund të seancës nuk mungoi ekzekutimi i goditjeve standarde. Sot bluzinjtë do të udhëtojnë drejt Ballshit vetëm pak orë para fillimit të takimit.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"