“Basti” i Dajës: Dua trofeun dhe dy blerje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2016 | 9:00

“Basti” i Dajës: Dua trofeun dhe dy blerje

Ilir Daja pret fitoren në Vlorë për të hedhur një hap drejt kualifikimit. Trajneri i bardhebluve e thotë hapur që do Kupën e Shqipërisë, trofe që do t’i siguronte edhe një biletë në Europë.

ILIR DAJANë prag të ndeshjes së parë zyrtare për 2016-ën, numri një i kryeqytetasve konfirmon se dy blerjet e reja nuk do të jenë titullarë. Ndërsa rrëfen se nga merkatoja pret një tjetër “pykë” dhe një mesfushor qendre.

Si e konsideroni ndeshjen e parë të këtij viti kalendarik?

Të vështirë. Nesër (sot) në Vlorë do të përballemi me një ekip që ka qenë mjaft aktiv në merkaton e janarit. Flamurtari do trofeun e Kupës, ashtu si edhe ne, ndaj nuk do ta kemi aspak të lehtë ndaj tij.

Ndërkohë që skuadrën e keni grumbulluar dy ditë para. Pse?

Pikërisht për shkallën e vështirësisë që mbart sfida ndaj Flamurtarit, e grumbulluam ekipin 48 orë para. Kjo pasi specifika e Kupës është me eliminim dhe nuk të lejohen gabimet.

Si është gjendja e Tiranës para sfidës ndaj Flamurtarit?

Skuadra, përveç mungesës së Fukuit dhe Vucajt, është e plotë. Pjesa tjetër e ekipit është në dispozicion totalisht për takimin ndaj Flamurtarit. Ekipi ka përballuar siç duhet ngarkesat fizike gjatë fazës përgatitore.

Do shohim një ekip sulmues apo të kujdesshëm në mbrojtje?

Nuk mund të jap shumë detaje për këtë gjë, pasi nuk dua t’i servir kundërshtarit synimin tonë real. E sigurt është që do luajmë me kujdes për të mos pësuar dhe shënuar. Një gol në fushën kundërshtare është shumë i rëndë- sishëm në sfida me sistem vajtje-ardhje. Një barazim pa gola nuk është i njëjtë me një barazim me gola.

Do jenë në fushë Almeida dhe Uillian?

Afrimi i dy futbollistëve brazilianë në këtë merkato janari është një sforcim tjetër financiar bërë nga drejtuesit e klubit, pas investimeve në infrastrukturë. Almeida dhe Uillian nuk kanë gjendjen e duhur fizike. Ata kanë qenë në aktivitet në Brazil deri në muajin tetor, por një futbollisti profesionist nuk i lejohet që jetë i papërgatitur nga ana fizike. Ka pak shanse që të jenë në formacion në Vlorë, më tutje do të shohim.

Do të kërkojë Tirana një tjetër sulmues pykë?

Duke parë këtë situatë, në këtë periudhë merkatoje që ka mbetur do të kërkojmë një sulmues dhe një mesfushor qendre, pasi edhe në këtë repart kemi mungesa të lojtarëve të përshtatshëm për atë pozicion.

Do të jenë të huaj, apo lojtarë nga tregu vendës?

Përparësi do ketë tregu vendës, pasi të huajt duan të vijnë direkt për firmë dhe duan të shmangin provën. Në Shqipëri nuk është se vijnë lojtarë të huaj shumë të mirë, por të nivelit mesatar. Prandaj, ne kemi vendosur kushtin që nuk do të firmosim me lojtarë që nuk i nënshtrohen provës, pa paragjykuar CV e tyre, e cila mund të jetë shumë e mirë. Mund t’ju jap një shembull: Edhe Olainka me Berishën e nisën me provë fillimisht. Për Berishën jam vetë i mirinformuar, sepse kam qenë unë që si trajner i Besës kam dhënë OK-in që ai të qëndronte.

Ka ndonjë emër konkret nga tregu vendës?

Jemi vazhdimisht në kërkim dhe në tratativa për të gjetur të duhurin. Nuk duam që të plotësojmë boshllëkun në numër, por synojmë një lojtar që t’u shërbejë objektivave që ka klubi.

Flamurtari ka ndryshime në staf dhe në organikë, i druheni këtij fakti?

Çdo blerje reklamohet si shumë cilësore, por duhet parë fillimisht se si do të përshtaten me grupin. Këtë politikë e ka çdo klub. Duke e vlerësuar Flamurtarin edhe pa blerje, ka bërë ndeshje të mira, madje edhe me skuadra të vendeve të para. Ndaj, e vlerësoj maksimalisht.

Objektivi është Europa, por si e shihni më të arritshme nëpërmjet Kupës apo kampionatit?

Paralelisht të dyja, edhe pse Kupa të çon më shpejt në Europë, por ka specifikën e vet, që nuk të lejon të gabosh. Kështu që ne duam që t’ia dalim në të dyja rrugët, që vazhdimësia të jetë më e sigurt.

Po dëshira e vetë Dajës cila është?

Fitimi i një trofeu është më mirë, pasi do t’i shtohej një Kupë edhe klubit tonë. Vendi i dytë apo i tretë na çon në Europë, por një shprehje thotë: “I dyti është i pari midis humbësve”. Ndaj do preferoja më shumë fitimin e Kupës.

Përgatiti: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"