“Basti” i Cankës: Lushnjës i kthejmë tifozët, unë dhe Sefa do shënojmë golat e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2019 | 23:25

“Basti” i Cankës: Lushnjës i kthejmë tifozët, unë dhe Sefa do shënojmë golat e Superiores

Ekipi i Lushnjës ësh të duke zhvilluar pjesën më të rëndësishme të përgatitjeve verore aktualisht.

Mikel Canka Lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ndodhet e grumbulluar në qytetin e Përmetit, duke vijuar punën me dy seanca ditore. Lushnja pritet të jetë një ndër pretendentet kryesore për Superioren dhe për të realizuar këtë duhen shumë fitore, shumë pikë dhe shumë gola. Një nga futbollistët që e di më mirë se kushdo këtë punë te Lushnja është sulmuesi Mikel Canka, i rikthyer në skuadër pak kohë më parë.

Pjesëmarrës në ngjitjen e Lushnjës në elitën e futbollit shqiptar në vitet 2008, 2013 dhe 2017, si dhe në ngjitjen e Luftëtarit në vitin 2016, sulmuesi 32-vjeçar shpreson për një sukses të 5-të të kësaj natyre në karrierën e tij.

Mikel, pse vendosët të riktheheni te Lushnja këtë sezon, pas aventurës tek Egnatia?

Jam kthyer te Lushnja dhe më vjen mirë për këtë gjë. Çdo futbollist, kur e shikon që po vjen kampionati i ri, mendon të jetë pjesë e një skuadre sa më cilësore, me pretendime serioze dhe të luajë me një grup të mirë futbollistësh. Unë u riktheva për të qenë pjesë e një Lushnje që do të pretendojë Superioren sezonin e ardhshëm.

Si ju është dukur skuadra gjatë kësaj kohe që po stërviteni me të?

Lushnja gjithnjë ka pretenduar, në fakt, por për këtë sezon shoh më shumë ambicie dhe më shumë besim. Skuadra më duket shumë mirë dhe unë vetë kam shumë besim se do ta arrijmë objektivin. Grupi i futbollistëve është i përkushtuar në stërvitje për të bërë sa më mirë detyrat që i ngarkohen nga stafi teknik. Për momentin, qëllimi ynë është të përgatitemi sa më mirë.

Do të luani në krah të kapitenit Sefa, me të cilin keni qenë dyshe edhe më parë, së fundmi në Superiore në sezonin 2017-2018, ku shënuat 18 gola…

Mendoj se do të jemi ata që kemi qenë. Do të mbajmë nën trysni mbrojtjet kundërshtare dhe do të realizojmë golat për objektivin e skuadrës. Kam besim se do të shënojmë aq gola sa t’i mjaftojnë Lushnjës për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar, sepse kjo skuadër e meriton të jetë mes më të mirëve.

Lushnjës i kanë munguar tifozët në stadium kohët e fundit. A mendoni se do t’i ktheni ata sezonin e ri?

Ne kemi një tifozëri të zjarrtë dhe për t’u pasur zili nga skuadrat e tjera. Qëkur jam rikthyer, kam ndier ngrohtësinë e tifozëve të mi dhe dashuria jonë për futbollin lushnjar është e madhe. Unë them se do të kemi shumë mbështetje gjatë kampionatit të ardhshëm dhe Lushnja do të arrijë t’i kënaqë tifozët me lojë dhe me rezultate. Jam i bindur se ata do të kthehen të mbushin stadiumin dhe ta mbështesin Lushnjën në misionin e saj.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"