Basti i B.Krasniqit: Ky Partizan për Europë. Premtoj gola, edhe pse nuk luaj në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2013 | 12:55

Basti i B.Krasniqit: Ky Partizan për Europë. Premtoj gola, edhe pse nuk luaj në sulm

KrasniqiBesnik Krasniqi u afrua te Partizani në rolin e mbrojtësit, por gjatë karrierës së tij me Prishtinën është shquar edhe si golashënues. Këtë instinkt 23-vjeçari e tregoi të shtunën në miqësoren me Shkëndijën, ku hapi serinë e golave. Sipas komenteve që vijnë nga tifozët e Prishtinës thuhet se Partizani nuk duhet të kërkojë shumë për sulmues, pasi atë e ka dhe ky është Besnik Krasniqi. Mirëpo, Krasniqi pohon se është mbrojtës dhe se do të bëjë të pamundurën të shënojë më shumë për Partizanin, në mënyrë që tifozët të kenë arsye të gëzojnë dhe ekipi të realizojë objektivat. Krasniqi ndihet i kënaqur me golin që shënoi ndaj Shkëndijës dhe premton se ky është vetëm fillimi.
Besnik në miqësoren me Shkëndijën erdhi goli i parë me uniformën e kuqe. Me Prishtinën jeni shquar si golashënues, po me Partizanin deri ku mund të shkoni?
Goli i shënuar në miqësoren e së shtunës ishte një ndjesi e mirë për mua dhe kënaqësi që të shënoja për fanellën e Partizanit. Ky është vetëm fillimi, pasi këtë gjë e kam bërë shpesh edhe te Prishtina. Shumëkush thotë pse nuk luaj si sulmues? Realisht jam mbrojtës, por kam edhe instinktin e shënimit, gjë të cilën e kam treguar te Prishtina. Do të përpiqem që me Partizanin të shënoj më shumë gola sesa kam bërë me Prishtinën, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin drejt objektivave dhe të gëzojmë tifozët e mrekullueshëm.
E keni pasur të vështirë ambientimin me futbollin shqiptar dhe skuadrën e Partizanit?
Këtë eksperiencë të re me Partizanin po e përjetoj shumë mirë. Ambientimi ka qenë i shpejtë, pasi këtu jemi katër futbollistë kosovarë. Gjithashtu jemi përshtatur edhe me lojtarët shqiptarë dhe të huajt. Pritja e palës shqiptare ka qenë e mrekullueshme, si në akomodim dhe ushqim, kështu që jemi fokusuar vetëm te Partizani.
Këtë fundjavë ju pret një tjetër transfertë. Çfarë synon Partizani në fushën e Laçit?
Kalendari na rezervoi dy ndeshje jashtë, ku të parën e kaluam me sukses në Krujë. Këtë fundjavë na pret fusha “e nxehtë” e Laçit. Ashtu si në Krujë, edhe kësaj radhe shkojmë me synime të qarta, ku minimumi është që të mos humbasim. Shpresoj që atë që bëmë ndaj Kastriotit ta realizojmë edhe ndaj vendësve laçianë.
Tifozët kanë kohë që presin një Partizan si në kohët e lavdishme. Cilat janë mundësitë e këtij grupi dhe a shkojnë përshtat me pritshmërinë e tifozëve?
Tifozët janë lojtari i 12-të për çdo ekip. Në Krujë pashë një tifozeri të mrekullueshme, për vetë faktin se përfaqësojnë një klub me mbështetës anë e mbanë trevave shqiptare. Ne si ekip do të bëjmë të pamundurën që t’i gëzojmë ata, minimumi që mund të arrijmë këtë sezon është përfaqësimi në Europë.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"