Bastet, jo si gjethe fiku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 21:19

Bastet, jo si gjethe fiku

Nga ARTAN SHYTI

artan shyti

Më në fund bastet po kthehen në çështje diskutimi me synimin që të rilegjitimohen. Pas një tentative të dështuar për t’i mbyllur, qeveria po mendon që të merret seriozisht me to, duke krijuar mundësinë që të jenë pjesë e natyrshme e realitetit shqiptar, ashtu si janë në çdo vend demokratik.

Pastaj, nëse të ardhurat e basteve kalojnë në shërbim të sportit, atëherë kjo do të ishte një fitore e madhe, sepse në fund të fundit paratë që krijohen nga sporti do t’i ngelen natyrshëm atij. Në këtë realitet aktual janë disa konsiderata që mund të bëhen.

Së pari, konstatohet se disa individë jashtë sportit që “filozofojnë’ për gjithçka e nuk rrinë pa futur hundët në çdo çështje e situatë, kanë marrë edhe në këtë rast penën dhe mendjen e çartur dhe flasin kodra pas bregut për një realitet që as e njohin e as mundohen ta kuptojnë. Bastet janë shoqëruese të sportit prej 200 vitesh. Anglia, që është vendi i lindjes së sportit modern, është edhe vendi i lindjes së basteve, si një binom që vazhdon i tillë dhe që nuk ka skandalizuar “filozofët” anglezë derisa ta quajnë financimin e sportit nga paratë e basteve si paratë e prostitucionit…

rama ylli

Së dyti, moralistëve, të cilët kërkojnë që shteti të bëhet çobani i njerëzve që kanë mbushur moshën e vendimmarrjeve personale për jetën e tyre, u duhet kujtuar që zgjedhja për t’u përfshirë në “vese” është një e drejtë individuale e çdo njeriu, siç është edhe ajo e pirjes së duhanit apo alkoolit.

Shteti krijon kufizime për moshat që nuk janë zyrtarisht të afta të marrin vendime deri në moshën 18 vjeç, por nuk mund e nuk duhet të luftojë aktivitetet që mund të shkaktojnë dëme shëndetësore apo financiare te njerëzit që kanë fuqinë personale të vendimmarrjes, duke i nxjerrë ato jashtë ligjit. Përvoja botërore ka treguar se kjo mënyrë nuk ka qenë asnjëherë efikase. Ndërsa edukimi, informimi, trajtimi i rasteve kur familja kërkon ndërhyrje, është detyrë e shtetit, e përcaktuar edhe në ligjin e lojërave të fatit.

Së treti, dhe më e rëndësishmja në këtë artikull, është frika se mos duke premtuar paratë e basteve qeveria “lan duart” me financimin e sportit. Sporti është një aktivitet me interes publik, i cili duhet të mbështetet nga shteti shumë më tepër se deri tani. Me para, me ambiente sportive, me specialistë të kualifikuar. Të thuash “po të jap paratë e basteve dhe vrit veten” është e gabuar, sado shumë që të jenë këto para. Dhe kjo hap një parantezë. Ata që mendojnë se sporti do të mbytet me para nga bastet, i kanë bërë llogaritë gabim.

Nga mënyra se si duket se do të organizohen bastet, nëse hapen, sporti do të marrë jo aq shumë para sa ëndërrohet. Për shumë arsye që nuk është vendi të trajtohen këtu. Por edhe sikur të marrë aq sa ëndërrojnë superentuziastët, përsëri detyrimi i shtetit përballë sportit nuk mund dhe nuk duhet të dobësohet. Sepse nëse ndodh kjo, bastet do të jenë jo ndihmë, por dëmtim në marrëdhëniet shtet-sport. Sepse do të shërbejnë si një “gjethe fiku” që mbulon vendet e “mëkatit”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"